Search on this blog

Search on this blog

Të dish është konsideruar përherë si virtyti më i lartë ndër njerëz. Mirëpo sot, në kohën që dija matet me ekspertët që flasin, algoritmet që masin dhe kur gjithçka kërkon shpjegim, përkufizim, drejtim, ka një hapësirë delikate në marrëdhënien njerëzore ku “të mendosh se di” nuk ndihmon, përkundrazi, të pengon. Dhe kjo hapësirë është pikërisht marrëdhënia terapeutike.

Në psikanalizë, terapisti nuk merr asnjëherë rolin e atij që “e di”. Ai nuk udhëzon, nuk orienton, nuk i tregon tjetrit kush është. Në zemër të psikanalizës nuk qëndron dija, por një formë e veçantë e mosdijes. Jo padije por siç e quan Lacan-i: ignorantia docta – një mosdije që e di se nuk di.

Kjo është pozita etike e psikanalistit: të qëndrojë në kufijtë e dijes së vet për t’i hapur vend subjektit njerëzor që flet në kolltukun terapeutik. Ky pozicion për mendimin tim, në dhomën e terapisë, është një nga më të vështirat për t’u mbajtur. Është një tundim i madh për psikanalistin të dijë. Të interpretojë. Të emërtojë. Të japë kuptim. Por çfarë ndodh kur e bëjmë këtë? Pa e kuptuar, e zëvendësojmë fjalën e pacientit me tonën. Aty ku duhet të dëgjojmë enigmën e të pavetëdijshmes, ne e mbysim hapësirën me mendimet tona. Dhe subjekti nuk flet më, përshtatet.

Në përvojën time, kjo pozitë e mosdijes nuk është pasive. Përkundrazi, është një akt i lartë etik. Të heqësh dorë nga pozita e autoritetit kërkon një lloj vetëpërmbajtjeje që nuk është aspak indiferente. Është një përpjekje e vazhdueshme për të mos i imponuar pacientit asgjë nga jashtë,  as teori, as përvojë, as pritshmëri. Ne nuk jemi autorë të së vërtetës së tjetrit. Në rastin më të mirë, jemi pasqyrë e heshtur që nuk deformon.

Sa herë që e gjej veten duke menduar “e kuptova”, duhet të ndalem. Sepse, në ato momente, jam shumë pranë arrogancës së ‘ignoramus docens’ – padijes që mëson. Dhe kur kjo ndodh, më mbetet vetëm psikologjia, jo psikanaliza. Ligjërimi merr vendin e të pavetëdijshmes. Njohja zë vendin e dëgjimit.

Në këtë kuptim, psikanaliza nuk është një përpjekje për të shpjeguar njeriun si objekt. Është një ftesë për të dëgjuar subjektin në fjalën e tij. Psikoterapia, për mua, është një hapësirë ku nuk ka vend për pushtet, as teorik, as emocional, as interpretativ. Është një përpjekje për të qenë pranë atij që flet, përkrah asaj që ai ende nuk e di për veten.

Kjo është, për mua, etika e jo-pushtetit në analizë. Të mos uzurposh pozitën e tjetrit, as me përvojën tënde, as me interpretimin tënd, as me shënimin në bllokun tënd. Të jesh thjesht aty, përkrah asaj që as vetë pacienti nuk e di. Kjo nuk është një pozitë e rehatshme. Është një pozitë që shpesh sfidon nevojën tonë për kontroll, për siguri, për autoritet.

E gjithë kjo bëhet edhe më e vështirë në një kohë si e sotmja, ku pasiguria përjetohet si dështim, dhe mungesa e dijes përjetohet si dobësi. Kultura jonë ka një mospranim të thellë ndaj enigmës. Gjithçka duhet të matet, të emërtohet, të sqarohet. Në këtë kontekst, pozita e psikanalistit është pothuajse radikale: ajo i reziston nevojës për kontroll dhe i jep përparësi të panjohurës.

Por ndoshta pikërisht aty ndodh diçka e rëndësishme. Aty ku psikanalisti nuk “e di”, aty ku fjalët e tij nuk pengojnë, pacienti fillon të flasë. Dhe fjalët e tij, jo tonat, janë materiali i së pavetëdijshmes. Aty lind kuptimi. Jo nga udhëzimi, por nga një zbrazëti që nuk trembet ta mbajë hapur.

Për këtë arsye, pozita e mosdijes nuk është mungesë dijenieje, është një formë e thellë e dëshirës për të dëgjuar.

Dhe ndoshta kjo është e vetmja dëshirë që psikanalisti ka të drejtë ta ketë.

 

Facebook
WhatsApp
Threads
LinkedIn