Psikoterapi Individuale
Në jetën e përditshme, njerëzit mund të përballen me ndjenja, mendime apo sjellje që nuk kuptohen lehtësisht. Ankthi mund të shfaqet pa një shkak të dukshëm; marrëdhënie që lëndojnë mund të përsëriten, ndonëse duken të njohura; një ndjenjë e vazhdueshme boshllëku që mbetet pavarësisht arritjeve apo afrimitetit me të tjerët.
Psikoterapia individuale ofron një hapësirë të sigurtë ku këto përvoja mund të dëgjohen dhe të kuptohen më thellë, jo për t’i gjykuar ose zgjidhur me nxitim, por për t’i pranuar dhe përpunuar me ndjeshmëri.
Si konceptohet psikoterapia individuale?
Terapia individuale është një proces i ndërtuar mbi besim, përkushtim dhe dëgjim të vërtetë. Psikoterapia nuk ofron zgjidhje të gatshme apo këshilla të menjëhershme, sepse jeta e brendshme nuk është një problem për t’u “rregulluar”, por një botë për t’u njohur. Pas simptomave dhe vështirësive të dukshme, shpesh qëndrojnë ndjenja të papërpunuara, histori të pashprehura, dëshira të penguara ose konflikte të brendshme që kërkojnë të dëgjohen. Në këtë kuptim, terapia nuk është një rrugë e drejtë dhe lineare, por një proces i ngadaltë, i thellë dhe personal, që zhvillohet përmes marrëdhënies terapeutike.
Qasja ime terapeutike
Qasja ime mbështetet kryesisht në parimet psikodinamike, duke integruar elementë të qasjeve të tjera kur janë të dobishme. Për mua, çdo njeri kërkon të dëgjohet në mënyrë të veçantë: ndonjëherë përmes ndriçimit të dinamikave të pavetëdijshme, ndonjëherë përmes kuptimit të mendimeve që e dëmtojnë në përditshmëri, dhe ndonjëherë përmes ballafaqimit me pyetjet më themelore të ekzistencës. Kam bindjen se simptomat nuk shfaqen rastësisht; ato përfaqësojnë shpesh mënyra të brendshme, të pavetëdijshme, për të përballuar konfliktet, humbjet apo ndjesinë e zbrazëtisë. Prandaj, në thelb të punës time qëndron një dëgjim i kujdesshëm ndaj historisë personale të individit.
Për kë është terapia individuale?
Terapia është për këdo që ndien se po përballet me çështje të vështira, të pashpjegueshme, ose që përsëriten pa një zgjidhje të qëndrueshme.
Ndër to mund të jenë:
- Ankthi, trishtimi ose ndjenja e boshllëkut të brendshëm.
- Vështirësi në marrëdhënie të afërta, në punë ose në familje.
- Përsëritje e modeleve që lëndojnë veten ose të tjerët.
- Ndjenja faji, turpi, vetëdyshimi apo mungesë e vetëvlerësimit.
- Çrregullimet e personalitetit.
- Çrregullimet e humorit
- Probleme me varësitë ndaj lëndëve narkotike, alkoolit apo lojrave të fatit.
- Nevoja për të reflektuar më thellë mbi jetën, zgjedhjet dhe kuptimin e tyre.
Çfarë ndodh gjatë terapisë?
Seancat zhvillohen në takime të rregullta dhe ofrojnë një hapësirë ku mund të ndahen mendimet, ndjenjat, kujtimet, ëndrrat dhe tensionet e përditshme. Në këtë ambient të sigurt, bëhet i mundur një dëgjim i kujdesshëm i vetvetes dhe një kuptim më i thellë i përvojave.
Roli im si terapist nuk është të të them çfarë të bësh, por të të ndihmoj të kuptosh më qartë çfarë ndodh brenda teje dhe pse. Në këtë mënyrë, ajo që dukej e pakuptueshme merr kuptim dhe bëhet e përpunueshme.
Takimi i parë
Procesi nis me një ose disa takime vlerësimi, për të kuptuar së bashku natyrën e shqetësimeve, historinë tënde personale dhe pritshmëritë nga terapia. Kjo fazë është gjithashtu një mundësi për të parë nëse mënyra ime e punës dhe marrëdhënia që krijohet është e përshtatshme për ty. Pas kësaj, hartohet një plan pune i përshtatur me nevojat dhe qasjen terapeutike që kërkon situata.
Kohëzgjatja dhe struktura
Seancat janë individuale, mbahen zakonisht një herë në javë dhe zgjasin 50 minuta. Në varësi të problematikës dhe nevojës për ndërhyrje takimet mund të integrohen në dy herë në javë për një periudhe të caktuar kohore. Procesi mund të jetë afatshkurtër apo afatgjatë, varësisht nga natyra e nevojave, thellësia e konflikteve dhe ritmi personal i angazhimit.
Nuk ka një kohë 'të duhur' për të filluar terapinë, por ka një kohë të brendshme që bëhet e ndjeshme kur njeriu fillon të dëgjojë veten.
Pyetjet më të shpeshta që bëhen....
Oraret:
E Hëne - E Shtunë: 09:00-19:00
E Diel: 10:00-12:00
Adresa:
Bulevardi "Bujar Bishanaku"
Shkodër
Kontakt:
+355 67 261 3251
kontakt@arjetpervizi.al