Keshillim Psikologjik
Jo çdo vështirësi merr formën e një krize të dukshme. Shpesh, individët përballen me dilema personale, profesionale apo marrëdhënie ndërpersonale, që ndikojnë në mënyrë të ndjeshme në përjetimin e jetës së përditshme, pa kërkuar domosdoshmërisht një ndërhyrje terapeutike të thelluar.
Këshillimi psikologjik ofron një hapësirë të sigurt dhe mbështetëse, ku mund të ndalosh, të reflektosh dhe të kuptosh më qartë tensionet dhe sfidat e momentit.
Si konceptohet këshillimi psikologjik?
Ky proces është bashkëpunues, zakonisht afatshkurtër dhe i orientuar drejt qëllimeve konkrete. Ai nuk fokusohet tek trajtimi i një gjendjeje psikopatologjike, por tek mbështetja e individit për të përballuar situata të vështira të jetës së përditshme me qartësi dhe vetëdije. Besimi themelor është se çdo individ mban brenda vetes burime të vlefshme për kuptim, orientim dhe qëndrueshmëri, edhe në momente pasigurie.
Situata ku këshillimi mund të jetë i dobishëm:
Ky format shërbimi është i përshtatshëm për individët që ndodhen në periudha tranzicioni personal ose profesional, ndiejnë pasiguri, lodhje emocionale apo boshllëk, ose përballen me vështirësi në ruajtjen e ekuilibrit midis nevojave të brendshme dhe pritshmërive të jashtme. Ai është gjithashtu një mbështetje e vlefshme për ata që dëshirojnë të forcojnë vetëdijen dhe aftësitë e tyre vendimmarrëse, pa u angazhuar në një proces psikoterapeutik afatgjatë.
Qasja ime terapeutike
Ky proces mbështetet në dy qasje që e shohin individin jo si dikë që duhet “ndryshuar”, por si dikë që mund të mbështetet në vetvete për të krijuar kuptim për jetën:
- Terapia e Fokusuar në Zgjidhje (SFBT) ndihmon në ndërtimin e së ardhmes duke u nisur nga momentet kur gjërat kanë funksionuar, ndonëse për pak kohë, dhe nga ajo që është tashmë e mundshme. Nuk është historia ajo që e përcakton rrugën, por ajo që personi zgjedh të ndërtojë më tej.
- Terapia e Pranimit dhe Përkushtimit (ACT) krijon një hapësirë të sigurt për të qëndruar me përvojat e brendshme, qoftë ato mendime të dyshimta, ndjenja të vështira apo impulse të turbullta, jo për t’i kontrolluar apo për t’i zhdukur, por për të mos lejuar që ato të ndërpresin lidhjen me atë që ka vërtet rëndësi: vlerat personale, dëshirat autentike, mënyrat e thella të të qenit në jetë.
Çfarë ndodh gjatë këshillimit?
Seancat zhvillohen në një ambient mbështetëse dhe pranues, ku individi ftohet të eksplorojë me sinqeritet përvojat, dilemat dhe ndjesitë e veta. Fokusi është tek ndërtimi i një kuptimi më të qartë për veten dhe identifikimi i hapave konkretë drejt mirëqenies psikologjike.
Takimi i parë
Procesi nis me një takim vlerësues, gjatë të cilit identifikohen sfidat kryesore, konteksti personal dhe qëllimet e mundshme të këshillimit. Ky takim shërben gjithashtu për të vlerësuar nëse formati i këshillimit psikologjik është i përshtatshëm për nevojën që ekziston, apo nëse sugjerohet një format tjetër pune më i thelluar.
Kohëzgjatja dhe struktura
Seancat zgjasin 50 minuta dhe zhvillohen zakonisht çdo javë ose dy herë në javë, sipas nevojës dhe disponueshmërisë së individit. Këshillimi psikologjik është zakonisht më i përqendruar në kohë, shpesh duke përfshirë 6 deri në 12 takime, por gjithmonë përshtatet me ritmin dhe natyrën e sfidës që trajtohet.
Pyetjet më të shpeshta që bëhen....
Oraret:
E Hëne - E Shtunë: 09:00-19:00
E Diel: 10:00-12:00
Adresa:
Bulevardi "Bujar Bishanaku"
Shkodër
Kontakt:
+355 67 261 3251
kontakt@arjetpervizi.al