Search on this blog

Search on this blog

Një reflektim psikanalitik mbi aktin e të folurit në fushën klinike!

 “La parole est le meurtre de la chose”
“Fjala është vrasja e gjësë”
Jacques Lacan

(Katër konceptet themelore të psikanalizës, 1964)

“Fjala është vrasja e gjësë”  shkruan J.Lacan në Seminarin e tij XI (Katër konceptet themelore të psikanalizës, 1964). Nuk është thjesht një fjali poetike; është një mënyrë për të na kujtuar se fjala nuk është një etiketë sipërfaqësore, por një akt që lë gjurmë, një operacion simbolik me pasoja në strukturën e subjektit. Ajo që thuhet, si thuhet, dhe pse thuhet, janë akte që nuk kalojnë pa pasoja në fushën e të pavetëdijshmes.

Në ligjërimin bashkëkohor psikologjik veçanërisht në rrjete sociale, në diskurse pop-shkencore dhe në psikoedukimin e thjeshtuar, fjala shpesh e humbet këtë gravitet.  Fjala nuk mbahet më si akt; ajo rrëshqet, shpesh në formën e këshillave të përgjithshme, formulimeve të sipërfaqshme apo parullave të thjeshtuara. Shumë herë, ajo që thuhet tingëllon mirë, por nuk thotë asgjë, ose më saktë, nuk di çfarë po thotë. Si psikanalistë, jemi të detyruar të ndalemi tek ky fenomen.

Në psikanalizë, fjala nuk është mjet komunikimi në kuptimin utilitar. Ajo është vendi ku lind dhe artikulohet subjekti. Është hapësira ku simptomat marrin formë, ku dëshira flet, ku e pavetëdijshmja shfaqet. Për këtë arsye, Lacani e rimendon fjalën jo si një objekt të thjeshtë semantik, por si akt: një akt që shënon, që pozicionon, që strukturon.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për profesionistët e shëndetit mendor. Një psikolog, një psikanalist, nuk flet si qytetar, as si pedagog moral, as si influencer. Ai ose ajo flet nga një pozitë ku fjala ka pasoja. Kur një psikolog përdor fjalën “traumë” në mënyrë të shkujdesur, kur etiketon një sjellje si “narciziste” pa e kuptuar kompleksitetin diagnostik e dinamik që ajo përmban, kur përdor shprehje si “kaloje të shkuarën dhe jeto të tashmen” pa marrë parasysh punën e brendshme që kërkon ky process, fjala e tij/saj nuk është thjesht informuese, por deformuese.

Në praktikën klinike, ne e dimë mirë se nuk ka subjekt përtej gjuhës. Subjekti është produkt i fjalës së tjetrit. Qysh në fillesat e jetës, individi vendoset në një pozitë simbolike përmes ligjëratës që i adresohet atij. Një fëmijë që dëgjon, ose thjesht përthith në mënyrë të heshtur mesazhe si “je barrë”, “je tepër”, “nuk duhesh”, nuk përjeton thjesht refuzim; ai strukturohet në një vend të caktuar brenda dëshirës së tjetrit. Aty fillon simptoma. Aty formësohet ajo që më vonë do të quajmë “vuajtje psikike”.

Prandaj, të flasësh pa e ditur peshën e asaj që thuhet nuk është thjesht papërgjegjshmëri gjuhësore; është shmangie nga pozicioni etik që kërkon praktika klinike. Sepse psikanaliza, në thelb, është një praktikë etike, jo thjesht terapeutike. Fjala që themi në seancë nuk është e njëjtë me fjalën që themi në kafe; ajo ka fuqi të ndërtojë ose të shkatërrojë, të mbështesë një subjekt ose të shkaktojë kolapsin e tij simbolik.

Në një kohë kur gjithçka duket e komunikueshme, kur rrjetet sociale kanë zbehur diferencën midis fjalës intime dhe fjalës publike, është më urgjente se kurrë të mbrojmë seriozitetin dhe peshën e të folurit klinik. Fjala është ajo përmes së cilës subjekti kërkon ndihmë, por është po ashtu ajo përmes së cilës mund të ndëshkohet, të keqinterpretohet, të riviktimizohet. Të folurit, për ne, nuk është rrjedhje spontane; është një akti më i lartë që dëshmon përgjegjshmërinë dhe profesionalizmin tonë.

Prandaj, ajo nuk duhet të jetë e lire, jo në kuptimin e censurës, por në kuptimin që nuk duhet të jetë e liruar nga struktura, nga mendimi, nga pozicioni etik. Ajo duhet të maturohet, të vihet në pyetje, të jetë e kujdesshme. Sepse, siç e shpreh Lacani, ajo që themi nuk është ajo që duam të themi, por është ajo që na vendos në vendin ku jemi në raport me të pavetëdijshmen. Ndaj, le ta mbajmë fjalën si strukturë, jo si luks i të thënit diçka. Le të kujtojmë se të flasësh si psikolog është të veprosh, jo vetëm në botë, por në subjektin e tjetrit.

Facebook
WhatsApp
Threads
LinkedIn