Search on this blog

Search on this blog

Ka kohë që më mundojnë pyetje të tilla si: A po ecim përpara në të kuptuarit e njeriut? Apo thjesht po veshim të vjetrën me gjuhë të re? A po krijojmë një psikologji më të thellë, apo po e banalizojmë më tej atë që dikur quhej udhëtim në brendësi?

Pavarsisht se ndihem në një pozicion jokomod të të dhënurit e reflektimeve personale ndaj një publiku që nuk jam i sigurtë nëse do t’i dëgjojë dhe më e rëndësishmja nëse i shërbejnë.

E them këtë jo nga një pozicion nostalgjik, nga ajo që Lakani do ta quante një ndjeshmëri për simptomën e fjalës, për mënyrën si ajo që duket si zhvillim mund të jetë në të vërtetë një mbrojtje ndaj thellësisë.

Sipas Lakanit, fjala nuk është thjeshtë diçka që thuhet por ajo synon të formësojë mënyra të të menduarit.

Në këto vite të fundit, kam vëzhguar një inflacion termash: ‘ankth’, ‘traumë’, ‘çrregullim’, ‘vlera’, ’empati’, ‘mirëqenie’, të gjitha fjalë që qarkullojnë me një shpejtësi marramendëse, por rrallëherë mbajnë brenda peshën që kërkojnë të mbartin. Përdoren si shenja që të tregojnë rrugën, por shpesh të lënë në të njëjtin vend: në një sipërfaqe që shmang kontaktin me të pavetëdijshmen.

Në këtë atmosferë, psikologu rrezikon të shndërrohet në një teknik të emocioneve, që më shumë rregullon simptomën sesa e dëgjon atë. Klienti, në vend të subjektit që flet dhe e zbulon veten, trajtohet si konsumator i një produkti të cilin ta quajmë: ‘vetëpërmirësimi’. Dhe analiza, ajo që dikur kërkonte një angazhim etik dhe një punë të gjatë ndaj vetes, reduktohet në protokolle të thjeshta dhe metoda të shpejta.

Por çfarë ndodh kur të gjithë flasim me të njëjtat fjalë? Kur ‘ankthi’ është vetëm një sinjal për t’u menaxhuar, jo një simptomë për t’u interpretuar? Kur ‘vështirësia në marrëdhënie’ është një ndërprerje neurobiologjike dhe jo një përsëritje e dramës familjare të pashprehur?

Ndodh që psikoterapia humbet atë që është më qenësore: besimin tek subjekti që flet dhe enigma që ai bart. Psikoterapia humbet të drejtën për të mos e ditur, për të mos e zgjidhur menjëherë atë që ndoshta kërkon kohë, dhimbje, madje edhe heshtje.

Kam frikë se, në përpjekje për të qenë të dobishëm, psikologët modernë po i përgjigjen pyetjeve që nuk janë bërë. Po japin përgjigje universale aty ku duhet të ketë dëgjim të veçantë. Po i përshkruajnë individët sipas klasifikimeve dhe jo sipas fjalëve të tyre. Dhe më së shumti, po i shmangen pyetjes që është në zemër të çdo praktike të ndershme: çfarë ndodh vërtet këtu, midis meje dhe tjetrit?

Risia e vërtetë, në profesionin tonë, nuk është metoda më e fundit, as qasja më e përpunuar. Risia lind aty ku psikoterapeuti ka kurajën të mos dijë menjëherë, të mos përgjigjet shpejt, të mos e lejojë veten të joshë nga fjalët e modës.

Të ulësh ritmin. Të dëgjosh një fjali që përsëritet. Të vëresh një ngurrim. Të mbash një hapësirë ku subjekti mund të mos e dijë ende çfarë do të thotë.

Kjo është, për mua, ajo që nuk përsërit veten. Sepse lind nga vërtetësia e momentit, jo nga skema të parapërgatitura. Dhe është më e rrallë se ç’duhet.

Prandaj, nuk është e vështirë të kuptosh përse psikoterapia jo-profesionale lulëzon: ajo ofron menjëherë kuptim, premtim dhe afrimitet. Por a e respekton realisht subjektin njerëzor? Apo i ofron vetëm një pasqyrë që thjesht reflekton atë që dëshiron të dëgjojë?

Në fund të ditës, ajo që na kërkohet nuk është të sjellim ‘diçka të re’, por të kemi përkushtimin të qëndrojmë me atë që është e vërtetë, sado e paqartë, e çoroditur, apo e vështirë të artikulohet. Dhe kjo kërkon më shumë sesa dije: kërkon një etikë të dëgjimit, një vendim për të mos u fshehur pas asnjë etikete, ndoshta edhe pas asnjë metode.

Facebook
WhatsApp
Threads
LinkedIn