Në praktikën psikanalitike, rrallë ka një subjektivitet që ngjall kaq shumë ndjeshmëri, hutim dhe vuajtje sa figura e partnerit narcistik. Jo thjesht për shkak të kompleksitetit të strukturës së tij, por sepse përmes tjetrit, ai shpesh lë pas një psikikë të dëmtuar, të zhveshur nga besimi, e ndonjëherë edhe nga vetë-kuptimi.
Narcizmi, ashtu siç e konceptoi fillimisht Z. Frojd, nuk është një cilësi morale apo një etiketim sjelljeje, por një stad në zhvillimin e vetes, një mënyrë që subjekti e organizon veten në raport me dashurinë, me humbjen, me objektin e dashurisë. Narcizmi primar përshkruan fazën e hershme ku libidoja është e investuar në vetvete, dhe në kuptimin më të thellë, ai përfaqëson një mekanizë mbijetese psikik në kushtet e mungesës së përgjigjes nga tjetri prindëror.
Megjithatë, ajo që ne zakonisht quajmë “partner narcistik” në praktikën klinike i referohet një strukture karakteriale ku dashuria është e kushtëzuar nga nevoja e pandashme për të pasqyruar madhështi, kontroll, vlerësim. Dashuria nuk jepet si ndjeshmëri, por si shpërblim. Për pasojë, partneri narcistik shpesh vepron në mënyrë të tillë që tjetri në lidhje nuk dashurohet si subjekt, por shërben si sipërfaqe reflektuese për një “vetvete” që nuk ekziston pa lavdërimin, pa admirimin e përhershëm.
Objekti i dashurisë për partnerin narcistik është shpesh një objekt i idealizuar fillimisht, për të rënë më pas në ciklin e zhgënjimit, kritikës, distancimit. Ky cikël përshkruhet nga Otto Kernberg në teorinë e tij mbi organizimin çrregullimit të personalitetit kufitar (borderline), ku mungesa e integrimit të imazhit të vetes dhe tjetrit çon në luhatje midis idealizimit dhe zhvlersimit.
Nga perspektiva e individit që është në lidhje me një partner narcistik, ndjesia që mbizotëron është ajo e zhdukjes së ngadaltë. Fillimisht, admirimi që marrin shpesh i shoqëruar me entuziazëm, deklarata dashurie dhe ndjesi unike, duket magjepsës. Por me kalimin e kohës, ky individ fillon të ndjejë se dashuria që merr nuk ka lidhje me vetën e tij/saj të brendshme, por me një rol që duhet ta luajë vazhdimisht. Dhe dashuria kushtëzohet pikërsisht në performancën e këtij roli. Refuzimi, nevojat personale, gabimet, vështirësitë, të gjitha fillojnë të trajtohen si defekte që shkatërrojnë imazhin e partnerit.
Një nga pasojat më të zakonshme që hasim klinikisht në partnerin e një subjekti narcistik është internalizimi i fajit. “Mos jam unë arsyeja përse ai/ajo është kaq i ftohtë? A kam bërë mjaftueshëm?” – këto pyetje nuk lindin nga ndonjë pamjaftueshmëri reale, por nga fakti që subjektiviteti i tyre është kthyer në funksion të një tjetri që nuk mund të duajë përveçse pasqyrimet e veta.
Të jetosh me një partner narcistik është, në shumë raste, të jetosh pa ekzistuar si subjekt. Çdo përpjekje për të vënë kufij interpretohet si sulm. Çdo tentativë për intimitet të vërtetë rrezikon të bëhet ekspozim ndaj poshtërimit, ironisë ose indiferencës. Sepse thellë-thellë, partneri narcistik nuk e sheh tjetrin si subjekt më vete, por si pjesë e vetes që duhet të funksionojë sipas nevojave të tij.
Por çfarë fshihet pas këtij ndërtimi? Shpesh, në thelb, gjejmë një boshllëk të hershëm, një ndarje të dhimbshme nga dashuria primare, një ndjesi që kurrë nuk ishin mjaftueshëm. Narcizmi është shenjë e një çarje e strukturës psikoke. Ashtu siç shkruan Kohut, në mungesë të pasqyrimeve rregulluese nga kujdestarët primarë, vetja zhvillon mekanizma mbrojtës që shpërfaqen si arrogancë, madhështi, nevojë për kontroll total të imazhit.
Qasja psikanalitike nuk e sheh partnerin narcistik si “të lig” apo “të prishur”, por si dikë që nuk ka pasur luksin e ndjeshmërisë së pakushtëzuar nga kujdestari primar. Si dikë që ka mësuar se që të ekzistosh, duhet të të duan vetëm kur je i jashtëzakonshëm. Si dikë që mbijeton vetëm nëse shndërrohet në pasqyrë që nuk lejon asnjë defekt. Kjo nuk e justifikon dhimbjen që ai/ajo shkakton në lidhje, por e bën më të mundur që psikanalisti të kuptojë përse ai/a ajo nuk mund të duajë ndryshe.
Ndaj, kur në seancë vjen dikush i dëmtuar nga një lidhje narcistike, puna nuk është thjesht të “dalësh nga lidhja”, por të kuptosh që nuk ishe i padashur, por i padukshëm. Nuk ishe i gabuar, por i përdorur si pasqyrë. Dhe më e rëndësishmja: që je subjekt i ndarë nga tjetri, i aftë të rivendosë kufijtë dhe të rindërtojë të brendshmen me ndjeshmërinë e nevojshme dhe jo në këmbim të nevojave të tjetrit..
Ky shkrim nuk do të duhej të mbyllej me receta, por me kujtesën e pozicionit që mbajmë si profesionistë: të mos gjykojmë, por të ndëgjojmë; të mos etikojmë, por të kuptojmë; të mos harrojmë se në secilën figurë narcistike, ekziston dikur një fëmijë që nuk e pane dhe deshën.