Ka diçka thellësisht çlodhëse në faktin se, pas kaq vitesh pune të cilat nuk janë shumë, por as pak, nuk ndjej asnjë nxitim për të dhënë një përgjigje për çdo gjë.
Jo sepse nuk kam mendime, përkundrazi, por sepse kam mësuar t’i ruaj për vete.
E megjithatë, në këtë kohë të re të psikologjisë së përgjigjeve të menjëhershme, të specialistëve në instagram dhe të interpretimeve një-minutëshe, duket se gjithçka duhet të shpjegohet menjëherë madje. Nëse nuk e kupton ankthin e tjetrit brenda tre minutash, me një skemë ngjyrash metaforike që duket se të ngrenë në qiell teksa e dëgjon, je jo-profesional.
Shumë folës, të rinj ose jo, të kapur nga diçka që se lejoj veten ta emërtoj, por të frymëzuar nga një përzierje e shpejtë midis TED Talks dhe “Reels”-eve terapeutike, kanë vendosur të mos presin më. Të vërtetat e mëdha të njeriut që vetëm ato dinë ti shprehin saktë, nuk kanë më nevojë për analizë. Ato thjesht shpallen. Si fakte qindravjeçare, si zbulime shekullore mbi të cilat do të ndërtohet dija njerëzore tani e tutje.
Në praktikën time, ka një lloj shenjtërie në të mos folurit, e cila buron nga një dashuri E PANGOPSHME për psikanalizën. Sepse çdo fjalë që themi, shfaq një botë të tërë konceptuale pas saj, ose për tu shprehur ashtu siç Lakani thoshte, çdo fjalë vjen nga një strukturë e pavetëdijshme. Dhe kur kjo strukturë është ende e papërtypur, ende e palexuar, ende e pakapur nga mendimi, fjalët bëhen të rënda, dhe bien mbi dëgjimin e tjetrit duke ndërtuar një tjetër strukturë. Është e lehtë të bësh dëm kur flet si autoritet, pa pasur ndonjëherë ndjesinë se ke ndërtuar një autoritet të brendshëm.
Sot, një prej qasjeve më të praktikueshme është të mos flasësh si profesionist. Por si folës motivimi, vetëm se me diplomë në psikologji ose edhe jo, sot nuk është e domosdoshme. E megjithatë, fjala në vetvete nuk ka faj. Fjala është neutrale. Ajo merr ngjyrën dhe formën e subjektit që e shqipton. Dhe në disa raste, ngjyra është më shumë dekor sesa përmbajtje.
Unë nuk kam frikë nga gabimi. Kam frikë nga bindja që s’ka gabim. Nga ai zëri i sigurt që shpall diagnoza, që shpjegon trauma si rrugë me një drejtim, që e kthen jetën njerëzore në një grafik emocional. Nga ai zë që s’e ka përjetuar kurrë ndalimin e vetes për të thënë një fjali, thjesht sepse nuk është koha.
E ndoshta, në këtë hapsirë delikate midis dijes dhe përmbajtjes, fillon të lindë diçka që e quajmë profesionalizëm. Fillon të shfaqet si një mënyrë reale të të qenit përballë tjetrit. Një mënyrë ku nuk e përdorim fjalën për të treguar sa shumë dimë, por për të zbuluar çfarë po përpiqet të thotë tjetri. Përndryshe, nuk bëhemi profesionistë. Ironia është se, sa më pak të mendojnë se dimë, aq më shumë e mbrojmë subjektin nga ne vetë. Dhe ky, më lejoni ta them me bindje, është thelbi i çdo etike terapeutike.