Nuk është gjithmonë e lehtë të jesh terapist në kohën që jetojmë. Kjo nuk ka të bëjë me individët që marrin terapi, ata, në mënyrën e tyre, mbeten të njëjtë: të ndërlikuar, në nevojë për një kuptim në jetën e tyre, të lënduar, të guximshëm. Por me mënyrën se si është duke ndryshuar mënyra se si ndodh psikoterapia, mënyra si ajo përjetohet, promovohet apo kuptohet në ditët e sotme. Me mënyrën se si ne, si profesionistë, jemi duke u vendosur përpara syve të tjetrit.
Dikur, imazhi i psikoterapistit kishte të bënte më shumë me një mungesë: mungesë ekspozimi, mungesë njohjeje të plotë. Një prezencë që nuk kërkonte të njihej, por të përjetohej. Sot, kjo prani ndodhet gjithnjë e më shumë në dritë të plotë, në profile të kuruara, në fjalë të zgjedhura me kujdes, në rrëfime personale që synojnë të krijojnë lidhje me një tjetër të çfarëdoshëm. Dhe shpesh, pas këtyre përpjekjeve ka një qëllim që kuptohet: dëshira për t’u ndjerë i afërt, për të fituar besim, për të treguar se “edhe unë di”.
Është e kuptueshme. Nuk është e lehtë të qëndrosh në heshtje kur përreth teje, ‘tregu’ i shëndetit mendor zhvillohet me ritme të shpejta. Ka presione konkrete: të jesh i dukshëm, i kërkuar, i pranishëm. Ka një ndjenjë pasigurie që rri pezull, nëse nuk flas, nëse nuk ndaj diçka nga vetja, a do të më zgjedhin?
Por sa nga vetja është ajo që ndahet në rrjetet sociale?!
Por ajo që më shqetëson nuk është ekspozimi, por ajo që humbet kur fokusi zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt formës sesa drejt përmbajtjes. Më shqetëson: Kur terapisti bëhet një figurë e lexueshme në një postim të vetëm. Kur ‘afërsia’ e menjëhershme zë vendin e procesit të ndërlikuar të krijimit të marrëdhënies. Kur vërtetësia fillon të ngatërrohet me vetë-zbulimin publik, dhe jo me durimin për t’u bërë i prekshëm në mënyrë të kontrolluar.
Kam frikë se në këtë dinamikë fillon të humbasë një cilësi e çmuar e dhomës së terapisë: mundësia për të mos ditur menjëherë kush është tjetri, ku klientët nuk thonë dot: “E njoh sepse e shoh çfarë poston”. Për të qëndruar përballë një prezence që nuk të ofron menjëherë përgjigje, por që e mban hapur pyetjen. Kur terapisti bëhet figurë e komentuar, e ndjekur, atëherë klienti nuk ka më hapësirën për të projektuar, për të interpretuar, për të krijuar vetë kuptim në raport me këtë tjetër që rri përballë tij. Prania e terapistit, që dikur ishte e mveshur me mister, mund të bëhet e tejdukshme, dhe me këtë, të kufizojë vetë potencialin transformues të marrëdhënies.
Një rrezik tjetër që vë re është një lloj ngushtimi emocional, ku terapistët ndihen të detyruar të duken të butë, të qetë, të afërt, gjithnjë në mirëkuptim, jo se kjo nuk duhet të jetë në thelb të formimit të terapistit. Por nganjëherë, kjo vjen bashkë me theksin mbi ngjashmërinë, “edhe unë kam përjetuar ankth”, “edhe unë jam rritur në një shtëpi të vështirë”, “edhe unë jam në rrugën e shërimit”. Këto ndarje mund të kenë vlerën e tyre. Por nëse bëhen normë, nëse bëhen mënyra kryesore për të fituar besim, atëherë çfarë ku qëndron profesionalizmi dhe kurimi terapeutik?
Ndonjëherë më duket sikur po formohet një imazh i terapistit si një shok i mençur, gjithmonë i disponueshëm, gjithmonë në mbështetje, gjithmonë “në linjë”. Por terapia, në thelb, nuk është vetëm ngushëllim. Është edhe sfidë. Është vend ku njeriu has kufijtë e vet, kundërshtimin e vet, ndonjëherë edhe heshtjen e një tjetri që nuk të jep menjëherë atë që kërkon. Nuk është gjithmonë vend ku konfirmohesh, shpesh është vend ku thyhesh dhe rindërtohesh.
Kur psikoterapia fillon të funksionojë sipas logjikave të tregut, ku duhen dhënë përvoja të këndshme nëpërmjet mesazheve screenshoot që nuk dimë as vërtetësinë e as qëndrueshmërinë, ku klienti është konsumatori dhe terapisti ofruesi i një “përvoje të mirë”, atëherë rrezikojmë ta humbasim thelbin e saj. Nuk ka më vend për tensionin që lind kur sfidohet një model i vjetër i të menduarit, një marrëdhënie që përsëritet, një kuptim që thyhet. Terapia fillon të ngjajë më shumë me një shërbim të personalizuar për mirëqenie, dhe më pak me një proces që mund të të trondisë, për të të çuar diku që nuk e njihje.
Këto mendime nuk i shkruaj si një përfundim. I shkruaj si një proces reflektimi të brendshëm, që më shoqëron ndërsa e jetoj këtë profesion në një botë që ndryshon me shpejtësi. Nuk kam përgjigje të thjeshta. As nuk gjykoj ata kolegë që zgjedhin rrugë të tjera. Por ndiej nevojën të ndalem, të pyes: Ku po shkojmë? Kush po bëhemi? Dhe mbi të gjitha, çfarë është ende e shenjtë në këtë punë, që duhet mbrojtur edhe kur bota përreth e sheh si të vjetër?