Search on this blog

Search on this blog

Ngjarje të tilla e bëjnë të vështirë të shkruash.

Kur një vajzë 25-vjeçare i jep fund jetës së saj nën peshën e dhunës dhe presionit të vazhdueshëm nga ish-bashkëshorti, çdo fjalë duket sikur vjen e shoqëruar me një ndjenjë faji. Sikur po përpiqesh të thuash diçka mbi një tragjedi që në thelb nuk ka nevojë për fjalë. Megjithatë, heshtja nuk është gjithmonë respekt. Ndonjëherë heshtja është vetëm një mënyrë tjetër për të mos parë atë që kemi përpara.

Është një histori që nuk di nga ta kapësh. Çdo përpjekje për ta menduar të çon në shumë drejtime njëkohësisht. Është e dhimbshme dhe e frikshme sa shpejt një jetë mund të marrë fund. Por edhe më e rëndë është të pranosh se shpesh një jetë nuk largohet thjesht, vetë. Ajo shtyhet nga shumë faktorë përreth saj, nga shërbime që nuk ofrohen në kohë, nga institucione që nuk reagojnë seriozisht, nga një shoqëri që shpesh reagon vetëm pasi gjithçka ka ndodhur.

Dreqi ta marrë, për çfarë mund ta dojë një vajzë 25-vjeçare fotoksinën që arrin ta blejë kaq lehtë? Si mund të shitet një substancë e tillë në një shoqëri ku herë pas here historia e grave dhe vajzave përfundon pikërisht aty? Është e vështirë të mos mendosh për njerëzit që e shesin atë pa u ndalur asnjë çast të mendojnë se dikush mund të lëndohet, vetëm që të fitojnë disa para më tepër. Ka diçka shumë të ftohtë në këtë lloj indiference.

Pastaj është edhe pjesa tjetër e historisë që nuk na habit më. Një kërkesë në polici që nuk merret seriozisht. Sa e njohur tingëllon kjo? Në një shoqëri që për një kohë të gjatë i ka mësuar gratë se ku duhet të qëndrojnë dhe kë duhet të dëgjojnë, zëri i tyre shpesh mbetet i dobët pikërisht në momentet kur ka më shumë nevojë të dëgjohet.

Të gjitha këto janë të rëndësishme, por nuk janë thelbi. Thelbi është diku më thellë, në mënyrën se si kjo shoqëri rrit djemtë.

Një kulturë që i mëson meshkujt se forca është prova kryesore e burrërisë prodhon shpesh një mashkullaritet shumë të brishtë. Sepse forca, kur nuk shoqërohet me aftësinë për të kontrolluar veten dhe për të pranuar kufijtë e tjetrit, bëhet thjesht një mënyrë për të mbuluar pasigurinë. Në shumë raste ajo që duket si dominim është në fakt një frikë e thellë nga humbja e kontrollit.

Shumë studiues të cilët kanë studiuar mënyrën se si ndërtohet kontstrukti i mashkullimit në shoqëri, si prsh, R. W. Connell, kanë treguar se shumë kultura vazhdojnë të promovojnë një model të burrërisë që lidhet me dominimin dhe kontrollin mbi të tjerët, veçanërisht mbi gratë. Në një model të tillë, konstrukti i mashkullimit shpesh mbështetet në idenë se një burrë duhet të ketë pushtet mbi marrëdhënien. Kur ky pushtet sfidohet, shumë burra e përjetojnë këtë jo thjesht si një konflikt me partneren, por si një kërcënim ndaj vetë identitetit të tyre. Në këtë pikë dhuna shpesh shfaqet si një përpjekje e dëshpëruar për të rikthyer kontrollin. Por burrat e sigurtë, nuk ndjejnë një nevojë të ndëshkojnë!

Problemi fillon shumë më herët. Fillon në mënyrën se si rriten djemtë dhe vajzat. Vajzat shpesh mësohen të binden përpara se të mësojnë të qëndrojnë vetë në këmbët e tyre. Ndërsa djemve u jepet shpesh një mesazh i heshtur, vlera jote si burrë konfirmohet vetëm atëherë kur një grua ka nevojë për ty ose kur ajo të bindet.

Ky është një ekuilibër shumë i rrezikshëm. Sepse në momentin kur një grua vendos të mos jetë më e varur, kur ajo nuk ka më nevojë të mbështetet tek ai për të përcaktuar jetën e saj, shumë meshkuj përjetojnë një lëkundje të fortë të brendshme. Në studimet mbi rolet mashkullore kjo është përshkruar shpesh si një lloj tensioni i brendshëm që lind kur meshkujt përpiqen të jetojnë sipas një ideali burrërie të ndërtuar mbi kontrollin dhe dominimin.

Në realitet, ai ideal është shumë i brishtë. Dhe pikërisht aty ku ai fillon të çahet, aty shfaqet shpesh agresioni.

Në shumë raste ajo që shoqëria e quan forcë është në fakt forma më e dobët e shfaqjes së konstruktit të mashkullimit dhe të burrërisë. Sepse një burrë që ka nevojë të kontrollojë një grua për të ndjerë vlerën e vet, në të vërtetë mbështetet mbi diçka jashtë vetes për të mbajtur identitetin e tij të përbashkuar. Pa një grua të cilën e sundon, ai nuk ka më një vete.

Kjo është arsyeja pse momenti kur një grua nuk ka më nevojë për të bëhet për disa burra momenti më i rrezikshëm. Sepse aty për herë të parë zbulohet boshllëku që ka qenë brenda tyre gjatë gjithë kohës.

Facebook
WhatsApp
Threads
LinkedIn