Search on this blog

Search on this blog

Në historinë e zhvillimit të mendimit psikanalitik, diskutimet më të rëndësishme konceptuale përherë janë lidhur disi me mënyrën se si kuptohet dhe shtjellohet e pavetëdijshmja. Kjo herë për të vlerësuar kontributin e Frojd-it, e herë për ta reduktuar mendimin e tij vetëm tek koncepti i të pavetëdijshmes.

Zigmund Frojd e vendosi të pavetëdijshmen në qendër të diskutimeve për psikikën njerëzore, duke na bërë ta përfytyrojmë atë si një hapësirë të thellë dhe të shtresëzuar, ku përvojat e papërballueshme, shtypen dhe mbahen në një distancë disi funksionale nga vetëdija, e cila është prezantuar si diçka e cekët dhe sipërfaqësore.

Në këtë model, e pavetëdijshmja na paraqitet një vend në psikikë që kërkon një lloj pune arkeologjike për t’u zbuluar. Analiza, në këtë kuptim, bëhet një proces i gradual zbulimi, ku simptomat lexohen si gjurmë të një historie të fshehur që kërkon të rikthehet në vetëdije.

Megjithatë, kjo metaforë e përdorur për të emërtuar thellësinë e të pavetëdijshmes, duket e fuqishme dhe klinikisht e rëndësishme, mbart një rrezik jo të vogël. Kjo krijon iluzionin se e pavetëdijshmja ndodhet thjesht “më poshtë”, dhe se me mjetet e duhura mund të arrihet plotësisht dhe të bëhet terësisht transparente për vetëdijen. Në fakt në çdo lexim psikoanalitik që kam ndeshur, kjo është thjesht e pamundur.

Pikërisht këtu ndërhyn formulimi i Jacques Lacan, i cili e largon konceptin e të pavetëdijshmes nga ideja e një hapësire konkrete, dhe e vendos atë në një dimension apo regjistër strukturor. Kur Lacan thotë se e pavetëdijshmja “nuk është aq e thellë, por është përtej kapacitetit të vetëdijshmes për ta arritur”, ai nuk e mohon ekzistencën e saj, por po ndryshon mënyrën se si ajo duhet menduar. Çështja nuk është thellësia, por struktura.

E pavetëdijshmja nuk është e fshehur në një vend “më poshtë” apo në fund të psikikës njerëzore, por ajo funksionon sipas një logjike që vetëdija nuk e kontrollon drejtpërdrejt. Kjo logjikë është struktura e gjuhës.

Në një nga formulimet e tij më të njohura, Lacan thotë se “e pavetëdijshmja është e strukturuar si një gjuhë”. Kjo tezë nuk është vetëm një metaforë teorike, por një pohim i thellë teorik dhe klinik. Ai, Lacan, sugjeron se e pavetëdijshmja nuk përbëhet nga përmbajtje të izoluara, por nga marrëdhënie, nga lidhje midis shenjuesve, nga një rrjet kuptimor që funksionon sipas ligjeve të veta të zhvendosjes, kondensimit, metaforës dhe metonimisë.

Kjo e zhvendos mënyrën se si kuptohet simptoma. Për Frojd-in, simptoma ishte kompromisi midis një dëshire të shtypur dhe censurës që bën superego-ja. Për Lacan-in, ajo bëhet një artikulim i një të vërtete që nuk mund të thuhet drejtpërdrejt. Simptoma nuk është thjesht një shenjë e një përmbajtjeje të fshehur a si na pëqen ta themi, “të shtypur”, por një strukturë që duhet lexuar.

Këtu, roli i analistit transformohet thellësisht. Ai nuk shihet më si një eksplorues i “thellësive”, por një dëgjues i strukturës së të folurit. Ajo që bëhet qendrore nuk është “çfarë ka ndodhur” në kuptimin faktik, por mënyra se si subjekti e artikulon përvojën e tij, çfarë përsëritet, ku ndërpritet fjalia, ku shfaqen lapsuset, ku shfaqet ambiguiteti. Pikërisht në këto çarje të diskursit, e pavetëdijshmja bëhet më e dukshme, jo më thjesht si një ngjarje e zbuluar, por si një ngjarje që del në pah, nëpërmjet gjuhës.

Kjo perspektivë kërkon gjithashtu një rikonceptualizim të subjektit. Në traditën Frojdiane, megjithëse subjekti është i ndarë, ekziston ende një orientim drejt integrimit, ajo që është e pavetëdijshme duhet të bëhet e vetëdijshme. Në mendimin lakanian, ndarja nuk është një gjendje kalimtare, por një kusht themelor. Subjekti nuk është zot i vetvetes, sepse ai është i strukturuar nga një rend simbolik që i paraprin dhe e tejkalon atë. Në këtë kuptim, e pavetëdijshmja nuk është diçka që subjekti “ka”, por diçka nga e cila subjekti është i përbërë.

Në modelin klasik, rezistenca shihet si një forcë që pengon aksesin në të pavetëdijshmen. Por nëse e pavetëdijshmja nuk është një vend për t’u arritur, por një strukturë që tashmë operon në të folur, atëherë rezistenca nuk është thjesht një pengesë, por një mënyrë e organizimit të diskursit të subjektit. Ajo nuk duhet kapërcyer me forcë, por dëgjuar si pjesë e së njëjtës strukturë që analisti përpiqet të lexojë.

Këtu mund të bëhet një lidhje e rëndësishme me konceptin e përsëritjes tek Frojdi, “detyrimi për të përsëritur”, i cili tashmë mund të kuptohet jo vetëm si rikthim i një përvoje të shtypur, por si insistim i një strukture që kërkon të artikulohet. Përsëritja nuk është thjesht kthim në të kaluarën, por një përpjekje e pavetëdijshmes për t’u shprehur në mënyra të ndryshme, gjithmonë të pjesshme dhe të shtrembëruara.

Në këtë pikë, bëhet e qartë se dallimi ndërmjet “thellësisë” dhe “paarritshmërisë për vetëdijen” nuk është një çështje terminologjike, por një ndryshim thelbësor. Nëse e pavetëdijshmja është “e thellë”, atëherë ajo pret të zbulohet, por nëse ajo është “përtej hetimit të vetëdijshëm”, atëherë ajo mund të kuptohet vetëm në mënyra indirekte.

Kjo zhvendosje ka pasoja edhe për mënyrën se si mendohet fundi i analizës. Nuk bëhet fjalë për një transparencë të plotë të strukturës së unit ndaj vetë vetes. Kjo do të ishte një iluzion që filozofë si Friedrich Nietzsche dhe Jean Paul Sartre do ta kishin konsideruar problematik. Përkundrazi, bëhet fjalë për një ndryshim në raportin që subjekti ka me atë që nuk e zotëron plotësisht.

Në fund, ajo që propozon Lacan nuk është thjesht një teori e re për të pavetëdijshmen, por një mënyrë tjetër për të menduar subjektivitetin. E pavetëdijshmja nuk është më një “thellësi” që pret të zbulohet, por një dimension që flet vazhdimisht, në mënyrë të tërthortë, të fragmentuar dhe shpesh të vështirë për t’u kuptuar., dhe që kërkon jo thjesht një depërtim më të madh, por një dëgjim më të rafinuar.

Facebook
WhatsApp
Threads
LinkedIn