Search on this blog

Search on this blog

Disa ditë më parë po përpiqesha të shkruaja disa rreshta për faqen time profesionale. Kisha nevojë të shpjegoja se çfarë bëj si psikoterapist. Sa më shumë përpiqesha ta përmbledhja punën time në pak fjali, aq më shumë më dukej sikur po humbisja diçka thelbësore. Ishte një ndjesi e çuditshme, për të qenë i kuptueshëm, duhej të thjeshtësoja, por sa më shumë thjeshtësoja, aq më pak e njihja veten në atë që shkruaja.

Nganjëherë më duket se psikoterapia po përballet me një sfidë të veçantë të kohës sonë. Jo sepse ka ndryshuar thelbi i saj, por sepse ka ndryshuar bota në të cilën ajo përpiqet të ekzistojë.

Jetojmë në një kohë ku dukja shpesh vjen përpara përmbajtjes. Ku ajo që shihet ka më shumë mundësi të vlerësohet sesa ajo që ndërtohet ngadalë. Ku publikja ka fituar një peshë që dikur i përkiste  privates, ku për të jashtmen investohet më shumë se për strukturen, ku mesazhi i pacientit kondiderohet certifikata e vërtetësisë së punës së mirë, në këtë cirk të sipërfaqes, psikoterapia, pavarësisht natyrës së saj, nuk ka mbetur jashtë kësaj logjike.

Kjo e vendos terapistin përballë një dileme që nuk diskutohet shpesh. Nga njëra anë, ai dëshiron të mbetet besnik ndaj natyrës së punës së tij. Nga ana tjetër, i kërkohet të jetë i dukshëm. Të shpjegojë veten. Të paraqitet. Të përmbledhë në pak rreshta një punë që në të vërtetë i reziston çdo përmbledhjeje. Mjafton të përpiqesh të shkruash një prezantim të shkurtër për veten si terapist dhe tensioni bëhet i dukshëm. Si mund të përshkruhet në pak fjali një proces që shpesh kërkon muaj ose vite për t’u kuptuar? Si mund të flitet me qartësi për diçka që, në thelbin e saj, zhvillohet përmes paqartësisë, pritjes dhe zbulimit gradual?

Ndoshta pikërisht këtu qëndron vështirësia. Psikoterapia nuk është ndërtuar mbi logjikën e menjëhershmërisë. Ajo kërkon kohë. Kërkon kthime pas. Kërkon heshtje. Kërkon durimin për të qëndruar pranë diçkaje që ende nuk është kuptuar plotësisht. Shpesh ajo që ka më shumë rëndësi në terapi nuk shfaqet menjëherë. Përkundrazi, vjen ngadalë. Shfaqet mes përsëritjeve, kundërshtimeve, rezistencave, apo edhe në ato momente kur duket sikur asgjë e rëndësishme nuk po ndodh.

Por bota në të cilën jetojmë funksionon ndryshe. Ajo kërkon qartësi të menjëhershme. Kërkon përgjigje të shpejta. Kërkon mesazhe që kuptohen brenda pak sekondash. Dhe pikërisht këtu lind tensioni. Nuk është thjesht një tension midis përmbajtjes dhe imazhit. Është një tension midis dy mënyrave të ndryshme të të kuptuarit të njeriut. Njëra kërkon kohë. Tjetra kërkon shpejtësi. Në hapësirën publike, imazhi ka një avantazh të natyrshëm. Ai tërheq vëmendjen menjëherë. Përmbajtja nuk mund ta bëjë këtë. Ajo ka nevojë për kohë, dhe koha është bërë një burim gjithnjë e më i rrallë. Kjo e vendos terapistin në një pozitë delikate. Nëse i përshtatet plotësisht logjikës së imazhit, rrezikon të humbasë diçka nga kompleksiteti që përpiqet të mbrojë. Nëse e refuzon atë krejtësisht, rrezikon të bëhet i padukshëm. Dhe padukshmëria nuk është gjithmonë një luks që mund ta përballosh.

Irvin Yalom ka shkruar shpesh për rëndësinë e autenticitetit. Për nevojën që terapisti të jetë një qenie njerëzore  në marrëdhënien terapeutike dhe jo thjesht një profesionist që ushtron një rol. Por çfarë ndodh kur autenticiteti duhet të përkthehet në një profil publik?

Ndoshta këtu fillojnë pyetjet më të vështira. Sa nga ajo që paraqesim është një përmbledhje e nevojshme dhe sa është kompromis?

Winnicott ndoshta do të na kujtonte rrezikun e krijimit të një lloj “veteje të rreme” profesionale. Jo domosdoshmërisht një mashtrim. Më tepër një figurë që gradualisht fillon të jetojë sipas pritshmërive të publikut dhe jo sipas përvojës së saj reale. Megjithatë, nuk besoj se zgjidhja qëndron në refuzimin e plotë të imazhit. Kjo do të ishte po aq jorealiste sa edhe dorëzimi i plotë ndaj tij. Ndoshta sfida është më modeste. Të pranosh se imazhi do të jetë gjithmonë më i shpejtë se përmbajtja. Se do të jetë më i dukshëm, më i lehtë dhe më tërheqës. Por njëkohësisht të mos harrosh se transformimi nuk ndodh aty.

Ai ndodh diku tjetër. Ndodh në hapësirën ku njerëzit flasin për gjëra që nuk i kanë thënë askujt. Në momentet kur fjalët mungojnë. Në ato heshtje që nuk mund të fotografohen, nuk mund të reklamohen dhe nuk mund të përmblidhen në një slogan tërheqës dhe goditës.

Në fund, ajo që e mban psikoterapinë gjallë nuk është ajo që shihet menjëherë. Është ajo që zbulohet ngadalë, në një marrëdhënie ku, herët a vonë, imazhi bie dhe mbetet vetëm përvoja.

Facebook
WhatsApp
Threads
LinkedIn