Prezantimi i rastit
Përshkrimi i rastit:
Elan Mir, një burrë në të tridhjetat, paraqitet me një ndjesi të vazhdueshme pasigurie dhe ndrojtjeje që e shoqëron në çdo ndërveprim social. Ai e përshkruan veten si dikë që ‘nuk di kurrë si të sillet saktë’, që analizon çdo fjalë që thotë dhe përpiqet të shmangë çdo gjë që mund ta bëjë ‘të duket ndryshe’. Kjo ndrojtje, sipas fjalëve të tij, është aq e rrënjosur sa që në shumë situata sociale ‘duket sikur trupi i paralizohet, dhe fjala e humbet kuptimin’.
Në fillim të terapisë, ndrojtja perceptohej si një tipar karakteri ose si ‘mungesë vetëbesimi’. Por gjatë javëve të punës analitike, u bë e qartë se ndrojtja përfaqësonte shumë më tepër sesa një simptomë: ajo ishte një strukturë mbrojtëse e formuar që në fëmijëri për të shmangur ndëshkimin dhe refuzimin
Sfondi Informativ:
Elan është rritur në një familje tradicionale, me një baba tepër kritik dhe një nënë të përmbajtur emocionalisht. Që në moshë të vogël, ai është përballur me një klimë gjykimi të vazhdueshëm, ku çdo shprehje spontane, dëshirë apo gabim, pritej të korrigjohej menjëherë. Babai i tij, figurë autoritare, i përsëriste shpesh fraza si: ‘Asgjë nuk e bën siç duhet’ apo ‘të tjerët gjithmonë dinë më mirë se ti’. Në këtë mjedis, fëmija mësoi se mënyra për të qenë i pranuar ishte të mos binte në sy dhe të imitonte pritshmëritë e të tjerëve.
Ky model edukimi ka krijuar tek ai një marrëdhënie të dyfishtë me ‘të qenit ndryshe’: nga njëra anë, dëshirën për t’u afirmuar dhe për të qenë vetvetja; nga ana tjetër, frikën se çdo shfaqje e individualitetit do të sillte ndëshkim, kritikë apo refuzim. Kështu, ndrojtja u bë forma më e hershme e vetëmbrojtjes së egos, një mënyrë për të shmangur ndëshkimin e babait dhe për të ruajtur lidhjen me të.
Vlerësimi klinik
Në analizë u identifikua se ndrojtja funksiononte si mekanizëm mbrojtës, i cili kishte marrë përmasa neurotike. Ajo nuk shërbente më për të mbrojtur, por për të penguar shfaqjen e vetvetes. Në çdo situatë ku lindte dëshira për t’u shprehur lirshëm, aktivizohej një tension i brendshëm i menjëhershëm që paralizonte spontanitetin. Ky tension ishte pasojë e internalizimit të figurës ndëshkuese të babait, e cila tashmë funksiononte si një superego e ashpër, që e ndëshkonte Elan-in sa herë ai përpiqej të ishte vetvetja.
Gjatë procesit, u kuptua se ndrojtja nuk ishte frikë nga të tjerët, por nga vetja që mund të mos jetë e pranuar. Duke u përpjekur të shmangte “të qenit ndryshe”, Elan në fakt riprodhonte të njëjtën situatë që përpiqej të shmangte: ndjehej i veçuar, i pavlefshëm, i refuzuar. Mekanizmi që duhej ta mbronte, e përsëriste plagën fillestare të refuzimit.
Dinamika e marrëdhënieve
Në marrëdhëniet ndërpersonale, ky model shfaqej në forma të ndryshme. Në grup, Elan prirej të heshtë, të përshtatej, të mos merrte hapësirë. Ai e përshkruante këtë si ‘nevojë për të mos u vënë re’, por në fakt, heshtja e tij provokonte pikërisht të kundërtën, një izolim që e bënte të ndihej ‘ndryshe’, ashtu si dikur nën vështrimin e babait.
Në marrëdhënien terapeutike, ndrojtja u shfaq fillimisht si përpjekje për të gjetur fjalët e ‘duhura’. Ai kërkonte të kuptonte se si ‘duhej’ të fliste në terapi, çfarë ‘pritej’ prej tij. Kjo përpjekje për të mos u gjykuar ishte, në vetvete, shprehja më e qartë e superegos ndëshkuese që kishte internalizuar. Vetëm i’u artikulua dinamika ‘e të qenit i vëzhguar’, Elan arriti të ndjejë për herë të parë një ndarje midis vështrimit kritik të babait të brendësuar dhe syrit të pranueshëm të terapeutit.
Në atë moment filloi procesi i diferencimit midis syrit ndëshkues dhe syrit që dëgjon, një moment kyç në zhvillimin e funksionit reflektiv të egos.
Plani i trajtimit
Qëllimi kryesor terapeutik ishte transformimi i ndrojtjes nga një mburojë mbrojtëse në një sinjal ndërgjegjësimi për frikën e ekspozimit emocional.
Puna analitike u përqendrua në:
- Eksplorimin e origjinës së kritikës së brendshme dhe rolit të saj në ruajtjen e lidhjes me babain;
- Identifikimin e momenteve kur ndrojtja shfaqej si mënyrë për të shmangur shfaqjen e dëshirës;
- Ndërtimin e një marrëdhënieje transferenciale që lejonte shfaqjen e vulnerabilitetit pa ndëshkim;
- Përdorimin e interpretimit të saktë në momente kyçe për të lidhur simptomën aktuale me konfliktin e hershëm midis dashurisë dhe frikës nga refuzimi.
Kohëzgjatja dhe frekuenca e takimeve:
Rezultatet
Në fazat e mëvonshme të terapisë, Elan raportoi një ndjenjë më të qëndrueshme qetësie dhe një aftësi të re për të qëndruar në kontakt me të tjerët pa u paralizuar nga mendimi se ‘duket ndryshe’. Ai arriti të shprehë dëshirat e tij në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe të tolerojë ndjenjën e ekspozimit pa u tërhequr. Në vend të ndrojtjes, nisi të përjetojë një formë të re vetëdijeje, ndjesinë se ‘mund të jem unë, edhe kur nuk jam si të tjerët’.
Ky transformim shënoi kalimin nga mbrojtja ndaj jetës emocionale tek aftësia për ta përballuar atë. Ndrojtja nuk u zhduk, por u integrua si pjesë e një vetëdijeje që e njeh, e pranon dhe e menaxhon..
Fragment nga interpretimi klinik gjatë seancës
Përgjatë këtyre javëve kemi bërë një rrugëtim të gjatë dhe të mundimshëm ku shpesh herë na është dashur të pëballemi me ngjarje që mbartnin në vetevete ndjesi dhe përjetime që deri më tani ishin lënë në harresë. Nisur nga kjo, dua të të përgëzoj realisht për guximin dhe forcën për të shkuar përherë e më në brendësi të vetes, me qëllimin për të kuptuar gjithçka ndodhte rreth teje. Më ka impresionuar kurioziteti dhe lehtësia me të cilën përballëshe me të vërtetat e reja që zbulonim çdo herë që punuam me përjetimet dhe ngjarjet që i kishin krijuar ato përjetime.
Nisur nga këto dua të përpiqem të përmbledh nëse e kam kuptuar saktë atë që gjatë këtyre javëve kemi punuar, të cilën gjatë takimit të sotëm, patëm mundësinë ta diskutojmë si një proces të tërë.
Nga ajo që kam kuptuar është se ‘ti’ (drejtuar Elan-it), aq sa mban mend, gjatë gjithë jetës ke përjetuar ndjesi ndrojtjeje, e shfaqur kjo me një kërkesë të brëndshme ‘për të qënë si gjithë të tjerët’. ‘Kërkesa për të qënë si gjithë të tjerët’ ka diktuar një pjesë të konsiderueshme të sjelljeve tua, pëlqimeve, të folurin në publik, angazhimeve sociale, etj. Për t’u përfshirë lirisht, të duhej që fillimisht ‘të mos ta ndjente fare’ (sikurse Elan e citon). Dhe ‘për të mos të ndjerë’ do të thotë që nuk ke presionin për të qënë ‘si gjithë të tjerët’ në atë situatë. Rastet si këto konstatuam të ishin të pakta. Ndërkohë që punonim, gjatë javëve kuptuam se ‘presioni për të qënë si të gjithë të tjerët’ ishte në të vërtetë një presion ‘për të mos qënë ndryshe’ sepse të ishe ‘ndryshe’ nënkuptonte të kritikoheshe. Gjatë javëve mësuam se kritikuesi kryesor ishte babai, kritikat e të cilit vazhdojnë edhe sot. Në këtë rast, ndrojtja mund të shihet si një mekanizëm mbrojtës, i cili është formuar për të mbrojtur “veten” nga ndëshkimi i shfaqur nëpërmjet refuzimit (të babait) që mund të vinte si pasojë e shprehjes së dëshirave individuale.
Gjithashtu kuptuam që: çdo gjë që kemi diskutuar për marrëdhënien me babain, për të mos dashur t’i rikthehem gjërë e gjatë do i referohem me ‘kritikat’, kanë krijuar ndjenja si pavlefshmëri, pamjaftueshmëri, nevoja të paplotësuara specifikisht, për të qënë i dashur, i dëgjuar dhe i parë. Po ashtu u njohëm me përjetime të tjera si: ‘asnjëherë i kënaqur me ty’, ‘asgjë se bën siç duhet’, ‘ti asnjëherë nuk di gjë’, ‘ai (babai dhe të tjerët) përherë e dinë më mirë se ty, ‘vazhdimisht duhet të dukesh mirë tek të tjerët’, etj.
Duke besuar se nuk kam lënë pas diçka të rëndësishme për interpretimin që dua të bëj, sot kuptuam që ‘ndrotja’ (ashtu sikurse ne kemi vendosur ta quajmë), ka shërbyer si mburojë që ti të mos dukesh ‘ndryshe’ (sepse duke mos qënë ndryshe, ti pranohesh nga babai, ose së paku, nuk refuzohesh).
Sa herë që je përballur me një situatë ku vetja jote ka shprehur një: më lejo ta quaj, ‘dëshirë’, ndrotja është aktivizuar duke bërë penguesen që kjo ‘dëshirë’ të mos të të shfaqë ‘ndryshe’ ose më saktë do të thoja, të mos të të shfaqë ‘vetja’. Gjatë viteve të fëmijërisë, ndëshkuesi ka qënë babai, sot (nëpërmjet mekanizmit mbrojtës të ‘internalizimit’) ndëshkuesi i vetes tënde, je ti.
I njëjti mekanizëm i ‘ndrojtjes’ i cili është përdorur gjatë fëmijërisë, vazhdon dhe përdoret akoma edhe sot, pavarësisht se në mënyrë më të sofistikuar. Por, në ndryshim me vitet e fëmijërisë, sot, sa herë që ti përjeton një moment kur ndihesh ‘ti‘, ‘ndrojtja’ hyn në funksion sepse nuk mund te jesh ‘ti’, sepse po të jesh ‘ti’ është e pamjaftueshme, është e pavlefshme, është e paplotë, është siç ‘ti’ e quan shpeshherë ‘ndryshe’, dhe ne të dy e dimë se nga ku vjen kjo.
Pikërisht në atë moment që ‘ndrotja’ hyn në funksion, ajo realizon shkëputjen tënde nga tjetri, duke të bllokuar ty dhe dhënë përparësi tjetrit ose tjetrit të perceptuar. ‘Ndrotja’ pengon angazhimin social, ndërveprimin lirshëm, dhe gjithçka tjetër që sëbashku kemi diskutuar që do preferoja ti referohesha me ‘pengon të jesh ti’. Pikërisht në këtë moment pengimi, ti ‘diferencohesh’ nga të tjerët, dhe është pikërisht i ai mekanizëm që ti përdor për të shmangur të qënurit ‘ndryshe’, ai mekanizëm të bën të jesh ‘ndryshe’. Është pikërisht ‘ndrotja’ që ‘ti’ e përdor për të të mbrojtur nga të qënurit ‘ndryshe’ ajo që pengon përfshirjen dhe bën përshfaqjen e ‘të qënurit ndryshe’.
Dhe më e rëndësishmja, do të doja të fokusoheshim pak këtu tani, sa herë kjo ndodh, pra: ‘ndrojtja’ në përpjekje për të të mbrojtur nga të qënurit ‘ndryshe’, të ekspozon akoma dhe më tepër, si drita në diell, dhe ti përmbush pritshmërinë e babait, pritshmërinë ‘e të qënurit ndryshe është gabim’.
Proces ky i cili përmbyllet me ty duke qenë ‘ndryshe’ dhe duke mos përmbushur pritshmëritë e tij (babait) ndaj teje (sikur njëherë e një kohë). Nëpërmjet kësaj ripërjeton sërisht pamjaftueshmërinë, pavlefshmërinë.
Nëpërmjet kësaj, ripërjeton dhe njëherë, refuzimin.