Search on this blog

Search on this blog

Prezantimi i rastit

Përshkrimi i rastit:

Herman Hiz, 32 vjeç, paraqitet si një figurë e përmbajtur dhe e kuruar në detaje, një burrë që në dukje mishëron stabilitetin dhe suksesin. Megjithatë, pas ndarjes nga partnerja, ai përballet me një boshllëk të thellë dhe me ndjenjën se nuk arrin të qëndrojë vetëm. Ai përshkruan një histori marrëdhëniesh të përsëritura, të cilat përfundojnë sapo ndjen se partnerja e percepton si “jo mjaftueshëm burrë”. Kjo përvojë e përsëritur e shtyn drejt një kërkimi të gjatë për të kuptuar se pse çdo lidhje përfundon në të njëjtin model emocional.

Sfondi Informativ:

Herman është rritur në një familje të qetë, me një nënë të ftohtë emocionalisht por të përkushtuar dhe një baba të tërhequr, të përjetuar si i pafuqishëm. Si fëmijë, është trajtuar shpesh si “i rritur”, pa hapësirë për të qenë i brishtë apo i përkëdhelur. Kujtimet e tij të hershme përfshijnë ndjesinë e mospërfilljes në momentet kur kërkonte vëmendje, veçanërisht nga nëna. Në adoleshencë e ka përjetuar figurën e të atit me përçmim të heshtur, duke e konsideruar si shembull të asaj që nuk dëshironte të bëhej.

Në marrëdhënie, përsëritet një dinamikë e njohur: përfshihet me gra që percepton se kanë nevojë për “shpëtim”, ndërsa tërhiqet sapo ndjen se ato fillojnë ta shohin si të dobët. Kjo e vendos Hermanin në një cikël të vazhdueshëm të kërkimit për vlerë dhe dominim emocional, ku çdo afrim përfundon në tërheqje.

Vlerësimi klinik:

Në analizën psikanalitike, u identifikuan dy shtysa të pavetëdijshme qendrore:

  1. “Fantazia e shpëtimit”, ku Herman kërkon të shpëtojë partneren nga një marrëdhënie e perceptuar si degraduese, një përsëritje e pavetëdijshme e dëshirës për të shpëtuar nënën nga pafuqia e babait.

  2. Nevoja për të ruajtur imazhin e “burrit të mjaftueshëm”, e cila shërben si mekanizëm mbrojtës ndaj frikës së brendshme nga refuzimi dhe mungesa e vlerësimit.

Këto dinamika lidhen ngushtë me identifikimin e munguar me figurën atërore dhe me ndjenjën e hershme të boshllëkut emocional. Mekanizmat mbrojtës dominues përfshijnë intelektualizimin, kontrollin emocional dhe shmangien afektive, mburoja që e mbron nga ndjenja e turpit dhe nga frika e ekspozimit emocional.

Dinamika e marrëdhënieve

Në marrëdhëniet intime, Herman ndjek një model ciklik: fillimisht tërhiqet nga figura femërore që percepton si të brishtë, “të dëmtuar” ose “të pambrojtura”, ku ndjenja e tij e forcës ushqehet nga ideja e shpëtimit. Në këto lidhje, ai vendoset në rolin e “kujdestarit moral”, duke marrë përsipër barrën e stabilitetit emocional të partneres. Megjithatë, sapo partnerja fillon të tregojë pavarësi, kërkesë për afërsi emocionale ose nevojë për barazi, dinamika përmbyset: Herman ndjen kërcënim, humb kontrollin dhe largohet.

Kjo lëvizje midis shpëtimit dhe braktisjes përfaqëson përplasjen e dy shtysave të pavetëdijshme: dëshirën për të qenë burim sigurie (si kompensim ndaj dobësisë së babait) dhe frikën se afërsia do ta ekspozojë në pozitën e dikujt që nuk është “mjaftueshëm burrë”.

Në këtë mënyrë, çdo marrëdhënie bëhet arenë ku përsëritet konflikti i fëmijërisë: dëshira për t’u dashur nga nëna, e përzier me frikën se dashuria do ta zvogëlojë, do ta bëjë të ndjehet “barkas”, si në kujtimin e tij të hershëm. Kjo dinamikë përforcohet dhe nga pozita e babait i cili perceptohet si ‘i pafuqishëm’, ‘i tërhequr’ dhe si diksuh që Herman nuk do të dëshironte të ishte.

Në marrëdhënien transferenciale me terapistin, kjo dinamikë u shfaq gradualisht. Herman projektonte te terapisti figurën e një vëzhguesi kritik, të cilit duhej t’i provonte se ishte i fortë dhe i kontrolluar. Momentet kur terapisti shfaqte empati ose mirënjohje për përpjekjet e tij, shpesh provokonin tek Herman ndjesi hutimi dhe mosbesimi, sikur ngrohtësia e tjetrit të ishte një kurth. Vetëm pas një kohe të gjatë, ai filloi ta perceptojë këtë marrëdhënie si një hapësirë ku forca nuk matet me kontrollin, por me aftësinë për të qëndruar i hapur ndaj ndjenjës.

Plani i trajtimit

Procesi terapeutik u përqendrua në eksplorimin e mënyrës se si Herman ndërton dhe shkatërron marrëdhëniet. Në fillim, qëllimi kryesor ishte krijimi i një hapësire të qëndrueshëme ku mund të toleronte ndjesinë e varësisë emocionale pa e përjetuar si poshtërim.

Ndërhyrjet terapeutike përfshinin:
Kohëzgjatja dhe frekuenca e takimeve:
Takimet janë zhvilluar me interval kohor një herë në javë dhe trajtimi ka zgjatur për dy vite.

Rezultatet

Gjatë dy viteve të terapisë, Herman filloi të ndërgjegjësohej se çdo përpjekje për të “shpëtuar” të tjerët ishte, në fakt, një mënyrë për të shpëtuar veten nga ndjenja e pakuptimësisë. Ai arriti të pranojë ndjenjën e vetmisë pa e përkthyer atë në braktisje dhe të dallojë ndryshimin midis dashurisë dhe nevojës për kontroll.
Në marrëdhëniet e reja, raportoi më shumë aftësi për të qëndruar në dialog pa u mbrojtur me ironi ose tërheqje. Filloi të zhvillojë një perceptim më realist të mashkullitetit, ku “mjaftueshmëria” nuk lidhet më me dominim apo sukses, por me ndjeshmëri, vetëdije dhe qëndrueshmëri emocionale.

Të dhënat:

Emri:

Herman Hiz
Herman Hiz është zgjedhur si emër në bashkëpunim me pacientin për të treguar pozicionin e tij në marrëdhëniet romantike. 'Her-man' do të përkthehej ndryshe 'Burri i saj', si për të treguar që Herman ishte vazhdimisht në shërbim të 'shpëtimit' neurotik të partnereve.

Simptomat kryesore:

boshllëk emocional, vështirësi në lidhje afektive, shmangie e vulnerabilitetit, frikë nga varësia dhe vetmia