Search on this blog

Search on this blog

Gjatë pushimit ndërmjet orëve të terapisë po diskutonim me kolegët e zyrës dhe po mbaja qëndrimin se familjet shqiptare investojnë më tepër në arsimimin dhe edukimin e vajzave sesa të djemve. Jo si për të thënë se është gabim të investosh në arsimimin dhe edukimin e vajzave, por kjo thellësisht nuk mjafton. Dhe shoqëria jonë ka të paktën dy dekada që e dëshmon këtë. Të paktën këto dy dekada që i kam dëshmuar vetë. Megjithëse dëshmia personale nuk është më tepër sesa veç një reflektim. Por absolutisht jo i pabazuar.

Shoqëria shqiptare e kaloi investimin tek vajzat nga e ashtuquajtura e famshmja “pajë” (edhe tek e cila dua të ndalem pak) tek një copë diplomë. Retorikat më të shpeshta që kam dëgjuar janë: “të paktën do ketë një lek të sajin”, “të paktën nuk do ketë nevojë t’i shtrijë dorën kujt”, “çfarëdo që t’i ndodhë, e ka një punë”. Të gjitha këto nuk janë asgjë më shumë sesa thjesht pranimi dhe internalizimi i një pozite inferioriteti dhe mëshire të bashkëshoqëruar me “çfarëdo që t’i ndodhë”, një element tregues i faktit që fati i vajzave asnjëherë nuk mund të dihet dhe për më tepër nuk është në dorën e tyre. Këto nuk janë thjesht fjalë që thuhen, janë narrativa që strukturojnë pavetëdijen njerëzore, të vajzave dhe djemve, dhe si të tilla legjitimojnë sjellje të caktuara. Dhe narrativat shoqërore nuk janë të parëndësishme nëse sjellim në mend Lacan-in i cili thoshte se pavetëdija njerëzore strukturohet nëpërmjet gjuhes, dhe kur thoshte se “We do not use language, language uses us”, si për të nënkuptuar që një strukturë narrative e organizon subjektin përpara se subjekti ta kuptojë atë. Në këtë kuptim, narrativat funksionojnë si struktura simbolike që organizojnë mënyrën se si individët e kuptojnë veten dhe vendin e tyre në marrëdhënie, duke u bërë pjesë e një norme kulturore që transmetohet brez pas brezi. Kjo nuk shkon shumë larg nga koncepti i “pajës”, që shumë herë janë thjesht rrobat e trupit, disa aksesorë që do ta bëjnë të pëlqyeshme dhe maksimumi çarçafët e dhomës së gjumit, si e si për të përforcuar një funksion, jo seksual, por shërbimi. Në thelb asnjë nga këto nuk janë problem për aq kohë sa nuk vijnë nga narrativa të paracaktuara.

Për t’u rikthyer tek thelbi i këtij reflektimi, arsimimi i vajzave nuk po mjafton dhe dyshoj të mjaftojë ndonjëherë për aq kohë sa edukimi i vajzave dhe djemve do të jetë i tillë. Nëse një kulturë investon vetëm në emancipimin e një grupi, por strukturat e identitetit të grupit tjetër mbeten të pandryshuara, atëherë konflikti nuk zhduket, por thjesht zhvendoset në forma të reja.

Jo rrallë herë kemi parë dekadën e fundit kalimin në ekstremin tjetër të vajzave, që në dukje paraqitet si një liri e shumëdëshiruar dhe e mezi pritur, por sërish brenda rregullave të lojës së meshkujve. Cilave rregulla? Pasuri, status, seks! Këtu kemi dëgjuar shpesh narrativa të frikshme të tipit: “nuk ka rëndësi se çfarë bën për aq kohë sa gëzon këtë status në mikromjedisin e tij provincial”, apo “nuk ka rëndësi se si i ka fituar për aq kohë sa i ka, do të thotë se është i zoti”, etj., etj. Kuptohet që këto narrativa shoqërore unë i moderova shumë, por jo aq sa për të mos u kuptuar. Modelet më të famshme i shohim çdo ditë në televizione dhe rrjete sociale. Imazhe shumë të kuruara të cilat i shërbejnë plotësimit të kënaqësive primitive të një audience që ushqehet dhe mbahet gjallë nga tensioni seksual. Sikur ky të mos ishte një aktivitet normal njerëzor me të cilin bota funksionon prej kush e di se kur. Çfarë zbulimi bëjnë shqiptarët kur vjen çështja tek këto tema.

Kësisoj, arsimimi i vajzave nuk mjafton po nuk ndryshoi bashkë me të edhe edukimi, i cili duket sërish i vjetruar. Edhe në përpjekjet e vogla për ta arnuar, shoqëria jonë e arnoi gabim, i çoi vajzat të luftojnë jo në fushëbetejat e tyre.

Por dyshoj nëse edhe edukimi i tyre i shëndetshëm do të na sillte rezultate të shpejta edhe nëse niset sot. Ne nuk jetojmë qindra vjet për të pritur rezultate dhe nuk kemi pse ta jetojmë jetën vetëm për ta bërë më të mirë për ata që vijnë, por edhe për ne që e jetojmë.

Kësisoj, duhet të provojmë të shohim se çfarë ndodh po të edukojmë meshkujt. Kam bindjen se kjo nuk është provuar ndonjëherë të jetë e mirëorganizuar dhe e mirë menduar nga familjet. Si për shembull? Të ketë mesazhe konstante mbi sjellje të shëndetshme karakteriale që u jepen djemve gjatë rritjes. Mesazhe jo të tipit “mos guxo të të shoh të qash”, sikur kjo të jetë treguesi i burrërisë.

Shoqëria shqiptare, e kopsitur mirëfare nga një strukturë e cila nuk është as patriarkale, por këtë emër ia kemi vënë se nuk kemi ditur si ta quajmë këtë katrahurë që kemi ndërtuar, nuk ka investuar aq sa duhet as në arsimimin e djemve. Në shumë raste djemtë lihen ta gjejnë vetë rrugën e tyre të identitetit profesional, a thua sikur e kanë jetuar një jetë më përpara dhe tani vetëm duhet ta përsërisin. Kemi dëgjuar vazhdimisht narrativa të tipit: “do e gjejë diçka me çfarë të merret”. Kjo nuk është vetëm një çështje neglizhence në edukim, por shpesh shpreh edhe një krizë më të thellë kulturore, mungesën e një modeli të qartë dhe funksional të burrërisë në shoqërinë bashkëkohore.

Këtu nuk është në fokus shkollimi universitar medoemos, por të ndërtuarit e një koncepti të vetes që ka si bazë vlefshmërie personale ndjesinë se është i aftë të bëjë diçka në mënyrë të duhur. Në shumë shoqëri që kanë kaluar transformime të shpejta historike, modelet tradicionale të burrërisë janë dobësuar ose rrëzuar, ndërsa modele të reja nuk janë ndërtuar ende. Në këtë boshllëk simbolik shumë djem rriten pa një orientim të qartë për atë se çfarë do të thotë të jesh burrë në mënyrë të shëndetshme dhe funksionale.

Në mungesë të një modeli të shëndetshëm, meshkujt bëhen destruktivë. Meshkujt udhëhiqen nga parime të qarta operacionale të formuluara ndoshta në këto fjalë: “get things done”, “get things together”. Dhe në momentin që shoqëria nuk ka investuar në këtë drejtim, jo thjesht t’i japë një shkollë apo një zanat, por duke e mësuar të ndihet i vlefshëm për veten dhe jetën e tij kur e bën një gjë siç duhet dhe mirë. Kur kjo ndjenjë kompetence nuk ndërtohet, meshkujt shpesh përpiqen ta kompensojnë atë përmes statusit, pushtetit apo dominimit simbolik në marrëdhënie. Në shumicën e rasteve, për shkaqe të ndryshme të periudhave që vendi ynë ka kaluar, por sërish shkaqe tërësisht të pajustifikuara, ka nxitur djemtë drejt iniciativave thellësisht vetëdëmtuese, të cilat kanë qenë të dëshmuara se dështojnë.

Pak a shumë si një eksperiment social. “Mbase atyre nuk u ka ecur, por ti provoje se mund të jesh më i zgjuar”, është një tjetër narrative shumë e dëgjuar. Gjithashtu shoqëria jonë, në përpjekjet e saj të dështuara për të investuar në arsimimin e meshkujve, ka shkatërruar vetë atë që ka ndërtuar. E shprehur kjo me narrativa të tipit: “merre një diplomë njëherë se ia bëjmë hallin, ndonjë njeri e kemi ose e gjejmë”, si e si për të justifikuar parimin: “nuk ka rëndësi se si e arrin diçka për aq kohë sa e arrin.”

Edhe kjo narrative shoqërore nuk kalon dot pa lënë gjurmë në psikikën e meshkujve, duke i vendosur përherë e më shumë në një presion social që mat vlefshmërinë me arritjen e statusit, pasurisë ose të femrave që arrin të mbledhësh përreth (pikërisht kështu është shprehja e përdorur, besoj u vjen e dëgjuar, tipike objektuale).

Tani duket sikur shoqëria shqiptare ka hequr dorë fare nga arsimimi i meshkujve. Mendoj se shoqëria e ka parë se përfitojnë më shumë nëse nuk i arsimojnë. Pasurohen më shpejt, jetojnë më me dinamike, kanë më tepër status dhe famë dhe për më tepër kërkon më pak angazhim. Kjo shihet qartë në auditorët e universiteteve, ku numri i studenteve vajza është dukshëm më i lartë se i djemve. Jo e thënë nga unë, por në vitin 2025 INSTAT raportonte se 66% e të diplomuarve janë femra. Kjo nuk ka asgjë të keqe, por në fund sërish kjo çështje kthehet tek vajzat, të cilat e gjejnë veten në pozitat e ndërtimit të marrëdhënieve me meshkuj, e thënë shkoqur, të paarsimuar, për rrjedhojë edhe të paedukuar.

Për aq kohë sa arsimimi i meshkujve na ka dështuar, hipotezoj se duhet të ketë dështuar edhe edukimi i tyre. Këtë bindje e kam duke u nisur nga narrativat e reja në dukje të mirë menduara për sa i përket barazisë gjinore. Do të zgjedh dy narrativa që përdoren për edukimin e meshkujve sot, sepse ato të vjetrat të tipit “pronë”, “e imja”, “jam unë njëherë”, janë të lodhshme dhe të shumë diskutuara për t’iu kthyer edhe unë.

Njëra nga narrativat është përpjekja për t’i mësuar djemve se si mbrojnë vajzat, dhe e dyta përpjekja për t’i mësuar djemve se si nuk duhet t’i lëndojnë vajzat. Të dy këto narrativa nuk do të ishin aspak problem nëse nuk do të vinin nga një strukturë e paracaktuar e pavetëdijshme. Të dyja këto narrativa u përcillen djemve si dy gjëra që ata nuk duhet t’i bëjnë, por ajo që nuk shihet këtu, dhe që mendoj se vetëm psikanaliza ka aftësinë për ta parë, është internalizimi i kapacitetit për t’i bërë ato, duke i dhënë pikërisht djemve atributin e mbrojtjes dhe të lëndimit, njëkohësisht duke i lënë vajzat dhe gratë sërish në të njëjtën pikë që ishin në fillim, e thënë në formë të pafiltruar, në duart e meshkujve të pasigurt. Në këtë mënyrë këto narrativa nuk e transformojnë strukturën e thellë të marrëdhënieve, por thjesht e riformulojnë atë duke e mbajtur figurën mashkullore si aktorin kryesor të forcës.

Pra nuk është problemi tek pranimi i kapacitetit mbrojtës, por tek heqja e atributeve të tjetrit për të mbrojtur veten dhe, më e keqja, tek internalizimi i kapacitetit për të lënduar. Kjo shkon edhe më tej kur të dyja këto narrativa, si mbrojtja ashtu edhe lëndimi, funksionojnë mbi një ligj, ligjin e forcës. Në këtë kuptim, çështja e marrëdhënieve gjinore nuk është vetëm çështje normash apo ligjesh sociale, por edhe mënyra se si ndërtohet identiteti i burrit dhe i gruas brenda normave kulturore që një shoqëri prodhon dhe riprodhon përherë të njëjtat skema.

Mund të zgjatesha pafund në tema të thëna e të rithëna, por sërisht diskutimi i kësaj tematike do të më kthente tek një postulat i pastër Frodjian që në një lexim të tërthorte do të nënkuptonte se kultura nuk ndryshon vetëm duke ndryshuar normat formale, por duke ndryshuar procesin e identifikimit përmes të cilit formohet uni njerëzor.

Facebook
WhatsApp
Threads
LinkedIn