Search on this blog

Search on this blog

Prej javësh më shqetëson një seri reklamash për rituale spirituale dhe eksperienca të reja që hyjnë në Shqipëri me traditë nga vendet e Amerikes Latine. Ritualet ‘Ayahuasca’. Secili ka të drejtën të më thotë se nuk di mjaftueshëm, dhe e vërtetë mund të jetë, mund të mos di mjaftueshëm, dhe ky mund të jetë tërësisht një reagim naiv imi.
Por… Sado përpiqem të mos e angazhoj veten me gjëra që nuk përbëjnë prioritetin kryesor, ndiej një shqetësim që nuk më largohet lehtë.

Nuk është vetëm për Ayahuasca-n si substancë, por për mënyrën se si po flitet për të, për mënyrën se si po reklamohet, për mënyrën se si po shitet pothuajse si një përgjigje universale për të gjetur veten. Më trishton shumësia e kërkesave të shpirtrave njerëzor që pa pasur një informacion konkret për atë që ofrohet, pyesin, si mund ta gjej këtë ritualin, si një përpjekje për të gjetur veten. Dhe hamendsoj se vetëm një ego e dërrmuar shpreson aq shumë së jashtmi, në rituale dhe në eksperienca me ekspertë të zgjedhur. Sepse praktikë e ritualeve të tilla është që ekspert (apo shahman) nuk mund të bëhesh por të zgjidhesh. Dhe ndoshta nuk është vetëm për këtë substancë ky reagim por për tërësinë e shërbimeve dhe përvojave të pakontrolluara që u ofrohet njerëzve që kanë një dhimbje apo janë thjesht në kërkim të diçkaje.

Sa herë dëgjoj fjalë si “hapje”, “çlirim”, “shërim”, më lind një ndjesi mosbesimi. Jo sepse mohoj nevojën e njeriut për kuptim, por sepse di sa e rrezikshme është kur kuptimi kërkohet me çdo kusht dhe sa më shpejt të jetë e mundur.

Si psikoterapist, por edhe si njeri që ka qëndruar përballë shumë dhimbjeve të heshtura të individëve që kanë kaluar sfida të mëdha në jetët e tyre, e di fort mirë që psikika njerëzore nuk është një terren ku mund të hysh pa pasoja.

Mirëpo, çfarë është ‘ayahuasca’?
Nuk bazohem në atë që jam përpjekur të lexoj apo hulumtoj me aq mundësi sa kam pasur, por në një vëzhgim fare të thjesht të reklamimeve që i bëhet, ayahuasca është kombinimi i dy bimëve, ku përzierja e tyre prodhon një lloj çaji i cili konsumohet si kusht për hyrjen në ritual.

Përtej të tjerave, për ta thënë më qartë, çaji i ayahuasca-s është një substancë shumë e fortë psikoaktive. Ajo nuk është simbol, nuk është metaforë, pra nuk është thjesht “ritual”, është substancë që duhet të konsumohet në formën e çajit, dhe si substancë ka efektet e saj, afatshkurtër dhe afatgjatë. Ankthi i fortë, konfuzioni, frika intensive apo edhe gjendjet psikotike janë përvoja reale që përshkruhen si nga reklamuesit po ashtu gjenden edhe fare thjeshte online. Aspekti i sigurisë qëndron vetem tek fakti që keto gjëra të thuhen përpara, por se çfarë të ndodh mbrapa, askush nuk do t’ia dijë. Siç thuhej në një nga videot reklamuese të një nga eventeve: “E mira e fatit që do bëhet në Tiranë këtë vit është se njerëzit nuk kanë nevojë të shkojnë në vendet latine të bëjnë 18 orë udhëtim, dhe se për çfarëdo lloj rreziku, një telefon dhe njerëzit e tu vijnë e të marrin”. Por ku? Sepse vendi është sekret. Se përse vendi është sekret e di vetëm shahmani.
Çështja nuk lidhet aspak me këtë ritual specifik sepse si ky janë shumë që qarkullojnë. Që nga ritualet që premtojnë kurimin nëpërmjet bimëve, tek ritualet që premtojnë se do të lexojnë ADN-në dhe ta çlirojnë atë, deri edhe tek mbrëmjet sekrete në shtëpiza sekrete larg zhurmës. Askush e nuk kontrollon atë që ofrohet dhe tregtohet. Por ti e kupton këtë fare lehtë nga komentet e shumta që pyesin: “A ofrohet edhe LSD?”

Gjatë eksperiencës kam parë se sa e paqendrueshme mund të bëhet struktura e unit pas një përvoje që nuk e ka zotëruar dot. Dhe këto histori rrallë tregohen, sepse nuk përputhen me rrëfimin e bukur të transformimit. Histori dhimbjeje dhe zhgënjimesh nuk tregohen as në rastet e psikoterapive jo të suksesshme sepse terapistët kanë frikë nga vetë-rrëzimi i tyre i mundshëm

Ajo që më prek më shumë është lehtësia me të cilën shoqëria jonë i përqafon këto praktika dhe fakti që këto shërbime nuk kontrollohen. Këtu nuk kemi të bëjmë më me ndërhyrjen në mënyren se si tjetri ka vendosur ta jetojë jetën e vet, por flasim për shërbime që premtojnë një rezultat të caktuar, në rastin më të keq nëpërmjet disa substancave psikoaktive të cilat ndër efektet e tyre janë edhe haluçinacionet.

Është e çuditshëme nevoja shoqërore për kuptim dhe rrugët që ndërmerr për ta gjetur këtë.
Sikur është në kërkim të çdo gjëje që është e fortë emocionalisht dhe pret të jetë domosdoshmërisht e thellë. Sikur intensiteti i përjetimit të ishte provë e kuptimit. Kjo nuk ka të bëjë me efektet e trajtimit apo ritualit sa ka të bëjë me nevojën e individëve për një kuptim në jetën e tyre.

Unë e kuptoj këtë si një lloj nxitimi kolektiv për të ndjerë diçka, çfarëdo qoftë, vetëm për të mos ndier boshllëkun. Dhe ndoshta këtu qëndron thelbi i problemit.

Shpesh kam përshtypjen se jemi lodhur nga pritja, nga procesi, nga përballja e ngadaltë me veten. Puna e brendshme nuk është emocionuese. Nuk jep rezultate të menjëhershme. Nuk prodhon histori që duken mirë kur tregohen. Është e heshtur, e ngadaltë dhe shpesh e pakëndshme. Dhe pikërisht për këtë arsye shmanget. Rrugët e shkurtra duken më tërheqëse, sidomos kur zbrazëtia bëhet e padurueshme.

Unë nuk e shoh shërimin si një moment kulmor, as si një përvojë që të trondit dhe të ndryshon menjëherë brenda natës, e as me një apo disa seanca psikoterapeutike. Nga përvoja ime klinike, ajo që sjell ndryshim të qëndrueshëm, vjen nga qëndrimi me veten, edhe kur kjo është e mërzitshme, edhe kur nuk ka asnjë ndjesi “të madhe”. Vjen nga marrëdhënia, nga fjala që kërkon kohë për t’u gjetur, nga durimi për të mos e mbuluar menjëherë dhimbjen me diçka tjetër.

Ndoshta Ayahuasca nuk është problemi kryesor. Ndoshta ajo është vetëm një pasqyrë e një realiteti kulturor tonin, i cili është tejet i dhimbshëm dhe i padurueshëm. Një pasqyrë e vështirësisë sonë për të jetuar me mungesën e kuptimit pa e zëvendësuar menjëherë me diçka intensive. Një pasqyrë e frikës sonë për të qëndruar me veten pa stimuj, pa rituale, pa përvoja ekstreme.
Dhe këtu, e pranoj, ndiej një zhgënjim të qetë. Jo zemërim, jo moralizim. Thjesht një trishtim të lehtë për faktin se sa lehtë heqim dorë nga ajo që është e vështirë, por e vërtetë, për t’u kapur pas asaj që duket më e shpejtë dhe më e lehtë.

Sepse boshllëku ekzistencial nuk mbushet me përvoja të forta. Ai kërkon diçka më pak tërheqëse, por më njerëzore: kohë, marrëdhënie dhe guxim për të qëndruar me veten.

Facebook
WhatsApp
Threads
LinkedIn