Terapi në Çift
Në çdo marrëdhënie ka periudha kur afërsia zbehet, komunikimi bëhet i vështirë, dhe konflikti duket i pakapërcyeshëm. Ndonjëherë kjo shfaqet si mungesë dëshire, heshtje e gjatë mes partnerëve, ose si ndjenja të pashprehura që grumbullohen dhe lëndojnë në mënyrë të heshtur. Edhe mes dy njerëzve që dikur ndiheshin pranë njëri-tjetrit, mund të krijohet një distancë emocionale që e bën bashkëjetesën të vështirë dhe të ngarkuar.
Terapia në çift nuk synon të gjykojë marrëdhënien, por të krijojë një hapësirë ku të dy partnerët të ndihen të dëgjuar, të kuptuar dhe të mbështetur në përpjekjen për të rindërtuar lidhjen dhe sigurinë emocionale që është lëkundur.
Si konceptohet terapia në çift?
Terapia në çift është një proces që nuk fokusohet vetëm në zgjidhjen e problemeve të dukshme, por në kuptimin e mënyrës se si partnerët lidhen emocionalisht me njëri-tjetrin. Ajo ndihmon në identifikimin e cikleve të përsëritura që shpesh lindin kur ndjenja të rëndësishme mbeten të pathëna. Në këto cikle, njëri partner mund të tërhiqet për të shmangur dhimbjen, ndërsa tjetri kërkon afërsi në mënyra që shpesh duken kritikuese ose kërkuese. Me kalimin e kohës, këto dinamika mund t’i lënë të dy partnerët me ndjesinë se janë vetëm, të padëgjuar apo të pakuptuar. Terapia ndihmon në zbërthimin e këtyre cikleve dhe në rindërtimin e një mënyre më të sigurt, më të ndjeshme dhe më të ndërgjegjshme për të qenë në një marrëdhënie.
Qasja ime terapeutike
Në terapinë në çift, puna ime bazohet në Terapinë e Fokusuar tek Emocionet (EFT). Një qasje bashkëkohore e cila e vendos lidhjen emocionale në qendër të mirëqenies së marrëdhënies. EFT nuk përqendrohet vetëm në përmbajtjen e konflikteve apo në sjelljet e dukshme të partnerëve, por i drejtohet emocioneve të papranuara, plagëve të heshtura dhe nevojave të papërmbushura që shpesh fshihen nën sipërfaqe. Përvoja ime klinike më ka treguar se pas shumë mosmarrëveshjeve të përsëritura nuk qëndrojnë thjesht çështje praktike, por ndjenja më të thella: dëshira për afrimitet, frika nga humbja, nevoja për të ndjerë siguri, dashuri dhe pranim.
Për kë është terapia në çift?
Terapia mund të jetë e dobishme për çifte që:
- përballen me konflikte të shpeshta ose komunikim të vështirë;
- kanë përjetuar largësi emocionale ose fizike;
- ndihen të lënduar nga tradhtia, mungesa e besimit ose pasiguria;
- luftojnë me çështje të seksualitetit, dëshirës, turpit apo fajit;
- janë përballur me humbje (si humbja e një fëmije, aborti, sëmundje të rënda, etj.);
- ndihen të mbërthyer në modele të përsëritura që krijojnë distancë në çift;
- përballen me pasoja të varësive që kanë ndikuar në marrëdhënien e tyre.
Çfarë ndodh gjatë terapisë?
Seancat zhvillohen në një mjedis pranues dhe mbështetës, ku të dy partnerët mund të ndihen të dëgjuar pa frikën se do të fajësohen apo gjykohen. Në vend të përqendrimit tek ‘konflikti’ si problem, fokusi vendoset tek mënyrat se si emocionet e thella, shpesh të pambrojtura apo të pashprehura, ndërthuren me nevojën për afrimitet dhe siguri.
Partnerët ndihmohen të njohin ciklet e tyre të zakonshme të ndërveprimit, ato modele që i largojnë nga njëri-tjetri dhe të mësojnë si të shprehen në mënyra që afrojnë, që nxisin ndjeshmëri dhe afrimitet. Marrëdhënia nuk shihet si një “projekt për t’u përmirësuar”, por si një vend i gjallë ku të dy kanë potencialin për të ndërtuar intimitet, siguri dhe mirëkuptim të ndërsjellë.
Takimi i parë
Procesi nis me takimet vlerësuese, ku eksplorohet historia e marrëdhënies, mënyrat si secili e ka përjetuar lidhjen dhe shqetësimet që i sollën në terapi. Kjo fazë ndihmon të kuptohen ciklet e vështirësisë, ndjeshmëritë dhe plagët e secilit partner, si edhe nevojat që kërkojnë mbështetje. Vlerësimi shërben gjithashtu për të parë nëse kjo mënyrë pune përputhet me pritshmëritë e çiftit.
Pas kësaj faze, hartohet një plan pune i ndërtuar mbi parimet e Terapisë së Fokusuar tek Emocionet (EFT), me mundësi për të integruar qasje më të specializuara kur është e nevojshme – veçanërisht në trajtimin e çështjeve që lidhen me seksualitetin, varësitë, humbjen apo përjetime të tjera që ndikojnë drejtpërdrejt marrëdhënien.
Kohëzgjatja dhe struktura
Seancat zhvillohen zakonisht një herë në javë dhe zgjasin 60–90 minuta, në varësi të nevojës dhe intensitetit të procesit. Në periudha krize, takimet mund të jenë më të shpeshta. Kohëzgjatja e terapisë nuk është e paracaktuar: ajo varet nga natyra e sfidave, ritmi i krijimit të sigurisë emocionale dhe qëllimet e përbashkëta të çiftit.. Mirëpo një mesatare e sugjeruar nga specialiset e EFT është që për problematika të ndryshme nevojiten 12 deri në 15 takime.
Pyetjet më të shpeshta që bëhen....
Oraret:
E Hëne - E Shtunë: 09:00-19:00
E Diel: 10:00-12:00
Adresa:
Bulevardi "Bujar Bishanaku"
Shkodër
Kontakt:
+355 67 261 3251
kontakt@arjetpervizi.al