Mirë se vini në faqen time!
Unë jam Arjet Pervizi, PhD (c), psikolog klinik i licensuar pranë Urdhrit të Psikologut dhe Psikoterapist, me përvojë shumëvjeçare në punën klinike me individë që përballen me sfida të ndryshme emocionale dhe psikologjike.
Eksperienca klinike
Përvoja ime përfshin punën me çrregullimet e humorit dhe të personalitetit, çrregullimet e ankthit, vështirësitë në marrëdhënie, përjetimet traumatike, si edhe çështje që lidhen me vetëvlerësimin, identitetin personal dhe funksionimin ndërpersonal. Puna ime ndërtohet mbi një qasje të thelluar terapeutike që respekton kompleksitetin e përvojës njerëzore dhe synon të krijojë një hapësirë reflektimi të ndjeshme, jo-gjykuese dhe transformuese.
Formimi akademik dhe rruga profesionale
Studimet i kam zhvilluar në Psikologjinë Klinike pranë Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, ku përfundova Masterin Shkencor, ndërsa aktualisht ndjek studimet doktorale në Psikologji pranë Universitetit të Tiranës.
Gjatë më shumë se një dekade pune në fushën klinike, kam ushtruar praktikën time në kontekste të ndryshme institucionale: qendra rezidenciale për të rinj, institucione arsimore, shërbime publike dhe praktika private. Këto përvoja më kanë lejuar të punoj me individë në faza të ndryshme të jetës dhe me problematika të ndryshme psikologjike, duke më dhënë një vizion të gjerë mbi mënyrat se si njeriu përballet me vuajtjen dhe se si kërkon shërim.
Qasja terapeutike
Në praktikën time mbështetem në një orientim psikodinamik dhe ekzistencial, të cilin e integroj me qasje bashkëkohore si Terapia Kognitive-Biheviorale (CBT), Terapia e Fokusuar tek Emocionet (EFT) dhe Terapia e Pranimit dhe Angazhimit (ACT), gjithnjë në varësi të natyrës së shqetësimit dhe nevojave të personit.
Pavarësisht metodës së përdorur, në qendër të punës sime qëndron marrëdhënia terapeutike, e konceptuar si një hapësirë takimi, reflektimi dhe transformimi.
Angazhimi akademik dhe kërkimor
Si pjesë e veprimtarisë akademike, angazhohem si asistent profesor pranë Universitetit të Shkodrës, në Fakultetin e Shkencave të Edukimit, si dhe të lektorit në Institutin e Shkencave Humane në Tiranë, ku ligjëroj në lëndë që lidhen me psikoterapinë, psikologjinë anormale dhe psikologjinë sociale.
Një shtyllë tjetër e punës sime është kërkimi shkencor, i cili ushqen vazhdimisht praktikën klinike dhe mban gjallë dialogun ndërmjet përvojës subjektive, kontekstit kulturor dhe reflektimit teorik. Kam botuar studime mbi tema që prekin ndërveprimin midis identitetit, marrëdhënieve të hershme, mekanizmave mbrojtës dhe transformimeve sociale.
Disa nga punimet e mia përfshijnë:
– “Sexting, një problem jetik për të rinjtë shqiptarë”
– “Dashuria si projeksion i marrëdhënieve prindërore”
– “Case Study: Një burrë për vetveten”
– “The Interplay between Cyberbullying, Self-Esteem and Empathy”
– “Niveli i bullizmit për grupmoshën 13–16 vjeç në shkollat 9-vjeçare të qytetit të Shkodrës”
– “Dallimet teorike ndërmjet narcizmit dhe egoizmit”
– “Vështrim psikanalitik ndaj formave neurotike të përzgjedhjes sëobjektit të dashurisë”
– “BECOMING A MAN WITHOUT A FATHER; Masculinity Construction in adult men raised in paternal absence”
Ku zhvillohet praktika ime?
Pjesa kryesore e punës sime klinike zhvillohet në Shkodër, pranë Qendrës së Shërbimeve Psiko-Sociale “ILIOS” gjatë gjithë javës, si dhe gjatë fundjavës në Durrës, pranë Qendrës “LOGOS”.
Gjithashtu, ofroj shërbim psikoterapeutik edhe online për individë që jetojnë jashtë vendit, duke ruajtur të njëjtin nivel profesionalizmi, përkushtimi dhe cilësie që karakterizon edhe takimet në zyrë.
Fushat e veçanta të interesit klinik
Edhe pse jam trajnuar për të punuar me një gamë të gjerë çrregullimesh psikologjike, përgjatë viteve kam zhvilluar një interes të veçantë për rastet që përfshijnë vuajtje emocionale afatgjatë, trauma të hershme relacionale dhe vështirësi ekzistenciale, shpesh të lëna jashtë kategorive standarde diagnostike.
Kam një ndjeshmëri të veçantë ndaj formave simbolike përmes të cilave shprehet dhimbja psikike dhe punoj me përkushtim për të ruajtur kompleksitetin, ambiguitetin dhe thellësinë e subjektit njerëzor.
Filozofia ime si psikoterapist
Përmes përvojës klinike dhe reflektimit teorik, e kuptoj psikoterapinë jo si akt normalizimi, por si një udhëtim të përbashkët drejt njohjes së vetes, një proces transformues që kërkon guxim, përkushtim dhe dëgjim të thellë.
Për mua, psikoterapia nuk është vetëm një profesion; është një mënyrë të dëgjuari, një akt etik ekzistence dhe një ftesë për të jetuar me më shumë vetëdije.
Kontakti
Nëse dëshironi të diskutoni mbi shërbimet që ofroj ose të rezervoni një takim, ju ftoj të më kontaktoni drejtpërdrejt në kontakt@arjetpervizi.al ose nëpërmjet seksionit të kontaktit në këtë faqe.
Oraret:
E Hëne - E Shtunë: 09:00-19:00
E Diel: 10:00-12:00
Adresa:
Bulevardi "Bujar Bishanaku"
Shkodër
Kontakt:
+355 67 261 3251
kontakt@arjetpervizi.al