Search on this blog

Search on this blog

Fjalia “Secure men do not ‘feel the need’ to punish” përmbledh në mënyrë të shumë përqendruar një mendim që është formësuar tek unë përgjatë një viti studime doktorale mbi temën e konstruktit të mashkullimit dhe një rrugëtimi të përditshëm me mendimin Frojdian.

Para se të vinte në këtë formë që e lexoni si përfundimtare për tani, kishte forma të tjera akoma embrionale do ti quaj si përshembull: ‘kufinj’, ‘react’ apo ‘shout out’. Kjo nuk është një fjali e krijuar në një moment dëshpërimi nga e shumëditura inteligjencë artificiale. Në optikën time kjo fjali pëmban një të vërtetë psikodinamike thellësisht thelbësore.

Në qendër të kësaj fjalie nuk qëndron ndëshkimi si akt, por përjetimi i tij si nevojë. Psikoanaliza gjithmonë e ka trajtuar ‘nevojën’ si shenjë të mungesës strukturore. Zakonisht aty ku subjekti ‘ndjen se duhet’ të veprojë, kemi të bëjmë me një çarje në organizimin e brendshëm të egos.

Në perspektiven Frojdiane impulsi për të ndëshkuar/shkatërruar mund të lind si një përgjigje ndaj një kërcënimi të mundshëm narcistik i cili mund të shfaqet si nevojë për ti dhënë zgjidhje përjetimeve si ndjenjat e zhvlerësimit, poshtërimit apo humbjes së kontrollit mbi objektin. Në shumë raste marrëdhënia me objektin shërben si mekanizëm projektues i pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë së brendshme. Në mungesë të objektit për të realizuar projektimin, struktura e egos shpërbëhet. Në këto raste, agresioni i shfaqur nëpërmjet formës së ndëshkimit nuk ka funksion rregullues të marrëdhënies më tepër se sa ka funksion mbrojtës të vetes. Duke munguar objekti mbi të cilin projektoheshin konfliktet e brendshme, egoja humbet mekanizmin mbrojtës me të cilin mbante në funksion lidhjen me realitetin duke krijuar kështu një humbje të ndjesinë e plotfuqisë, pushtetit dhe forcës. Paaftësia e egos për të përpunuar impulset agresive dhe kalimi i pakontrolluar në ndëshkim ndaj objektit vjen si përpjekje për të riparuar çarjen që i është shkaktuar nga shkëputja e tij. Shtysa e këtij kalimi ndodh për të zhvendosur konfliktin e brëndshëm sërisht drejt objektit, duke konfirmuar kështu varësinë e subjektit ndaj pranisë së objektit.

Në perspektiven Frojdiane një ‘mashkull i sigurt’ nuk është një subjekt pa agresion por një subjekt që impulset agresive ka arritur ti integrojë. Ai karakterizohet nga një ego të mjaftueshëm të konsoliduar për të toleruar frustrimin, pa u detyruar ta shkarkojë atë në mënyrë impulsive. Ky ekuilibër vjen edhe si pasojë e të pasurit në strukturën e unit një instance të superegos jo-sadiste, të integruar, të njohur, të brendësuar dhe të ndërlidhur me dy instancat e tjera. Kjo i lejon subjektit të krijojë një aftësi për të përballuar konfliktin pa e shndërruar tjetrin në kërcënim, dhe pa përjetuar ‘nevojën për ta ndëshkuar’ si mekanizëm për të mbajtur lidhjen funksionale me objektin. Në rastet kur superegoja është e brishtë ose tepër ndëshkuese, ‘nevoja për të ndëshkuar’ objektin shfaqet si përpjekje për ta rikrijuar nga jashtë atë që mungon brenda: kufirin, autoritetin, rendin. Kjo rezonon fort me Winnicott-in i cili shprehet se subjekti i konsoliduar është ai që mund të mbajë tensionin e konfliktit pa u shembur dhe pa e shkatërruar objektin.

Megjithatë, nga një këndvështrim më i imtë klinik, duhet bërë një dallim i rëndësishëm: mungesa e ‘nevojës për të ndëshkuar’ nuk duhet të ngatërrohet me mungesën e çdo forme akti kufizues apo ndërhyrjeje. Në disa konfigurime të marrëdhënieve specifike, subjekti edhe pse i ekuilibruar dhe relativisht i sigurt, mund të përballet me situata ku kufiri kërkon të shfaqet në një akt konkret, pa qenë ky akt shprehje e një çarjeje narcistike apo regresioni impulsiv. Diferenca thelbësore nuk qëndron në aktin në vetvete, por në përjetimin e tij. Kur ndëshkimi (apo kufizimi) përjetohet si i domosdoshëm për të mbrojtur marrëdhënien dhe jo si nevojë për të riparuar veten, atëherë nuk kemi të bëjmë me funksion kompensues të egos, por me një përpjekje për të ruajtur diferencën dhe realitetin e objektit. Pikërisht këtu shfaqet një nga dallimet më delikate mes agresionit të integruar dhe agresionit të instrumentalizuar për qëllime narcistike.

Në teoritë e marrëdhënieve objektale, ndëshkimi shfaqet shpesh kur objekti nuk tolerohet më si një subjekt i veçantë, por reduktohet në funksion të rregullimit emocional të vetes. Tjetri bëhet një vend ku projektohet paqendrueshmëria dhe mungesa e ekuilibrit të brendshëm. Një mashkull i pasigurt e përjeton pavarsinë e tjetrit dhe shkëputjen e objektit si kërcënim pasiqë kjo e lë atë të vetëm përballë mungesës së ekuilibrit të strukturës së tij të brendshme. Përveç çka u tha më sipër, nëpërmjet ndëshkimit subjekti kërkon të rivendosë një marrëdhënie dominimi ndaj objektit, të shkatërrojë diferencën ndërmjet tyre dhe të rikrijojë një lidhje ku mund të projektojë pasigurinë e tij, duke u ndier i pashqetësuar nga vetja.Në të kundërt, një mashkull i sigurt, mund ta përballojë faktin që tjetri nuk i bindet, nuk e admiron, nuk e konfirmon. Ai nuk ka nevojë ta ndëshkojë objektin për të ruajtur koherencën e vetes.

Teoritë e maskulinitetit, veçanërisht konceptualizimi i R.W. Connell mbi maskulinitetin hegjemonik, ofrojnë një kornizë të rëndësishme për ta kuptuar këtë fenomen në nivel shoqëror. Maskuliniteti hegjemonik ndërtohet mbi dominim, kontroll dhe hierarki, duke e legjitimuar ndëshkimin si shenjë force dhe autoriteti.

Në këtë model, ndëshkimi nuk është devijim, por normë. Në këtë model ndëshkimi është një mënyrë për të ruajtur statusin, një përgjigje ndaj ankthit gjinor që ushtrohet ndaj meshkujve nga shoqëria dhe një mekanizëm për të disiplinuar çdo formë mosbindjeje.

Këtu ‘nevoja për të ndëshkuar’ nuk është individuale, por kulturore. Ajo i shërben ruajtjes së një identiteti mashkullor të ndërtuar mbi frikën e humbjes së pushtetit.

Një lexim i thjeshtë sociologjik i këtij fenomeni rrezikon ta pozicionojë subjektin vetëm si viktimë të diskursit kulturor. Nga një perspektivë psikoanalitike, maskuliniteti hegjemonik mund të funksionojë jo vetëm si presion nga jashtë, por edhe si mbulesë e gatshme për konfliktet e brendshme që subjekti nuk arrin t’i simbolizojë. Diskursi i dominimit, autoritetit dhe ndëshkimit i ofron individit një gjuhë të huazuar, përmes së cilës agresioni i pashqyrtuar merr legjitimitet dhe kuptim. Në këtë kuptim, kultura nuk është vetëm burim i ‘nevojës për të ndëshkuar’, por edhe një aleate e heshtur e egos në shmangien e përballjes me brishtësinë, pasigurinë dhe varësinë nga objekti. Kështu, ajo që shfaqet si bindje ndaj normës gjinore, mund të jetë në thelb një mënyrë për të mos u përballur me konfliktin intrapsikik që kjo normë e ndihmon ta mbulojë.

Qasjet bashkëkohore ndaj maskulinitetit e zhvendosin fokusin nga performanca drejt qëndrueshmërisë së brendshme. Siguria mashkullore nuk përkufizohet më nga aftësia për të kontrolluar të tjerët, por nga aftësia për të vetë-rregulluar impulset, për të toleruar ambiguitetin dhe për të mbajtur përgjegjësi pa autoritarizëm.

Në këtë kuptim, mungesa e ndëshkimit nuk është dobësi, por shenjë e një autoriteti simbolik të brendësuar.

Aty ku autoriteti është i integruar, ndëshkimi humbet funksionin e tij kompensues.

Facebook
WhatsApp
Threads
LinkedIn